Portugali-Irlandë, shtyhen afatet e borxheve

12/04/2013 18:15

Portugalia dhe Irlanda do të marrin një kohë shtesë prej 7 vjetësh për të shlyer huatë financiare që u janë dhënë në formë ndihme.

Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ndihmuan Republikën e Irlandës në vitin 2010 dhe Portugalinë në 2011 me ndihma për shkak të krizës financiare.

Të 17 anëtarët e eurogrupit ranë dakord për afatet e propozuara në një takim të ministrave të Financave të mbajtur në Dublin.

Ndërkohë, ministrat thanë gjithashtu se 10 miliardë eurot ndihmë për Qipron janë gati të aprovohen nga vendet anëtare.

Kjo mund të ndodhë në fund të muajit dhe FMN-ja ka dhënë tashmë dritën jeshile, me paratë që mund të lëshohen nga mesi i muajit maj.

Plani për Irlandën dhe Portugalinë synon t’u japë sistemeve financiare të dy vendeve më shumë kohë për t’u rimëkëmbur nga kriza e borxhit, pasi rezervat e tyre mbaruan.

Fondet ndihmë për Irlandën do të lëshohen më vonë gjatë vitit, ndërsa për Portugalinë do të lëshohen vitin e ardhshëm.

Shtyrja e afateve për shlyerjen e tyre pritet të mbështetet nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian, përfshirë ato që nuk janë pjesë e eurozonës.

Ministri holandez i Financave, Jeroen Dijsselbloem deklaroi se në takimin e Dublinit ministrat vlerësuan implementimin e programit të ndihmës nga ana e Portugalisë, por kërkuan që vendi të vijojë reformat pavarësisht kushteve të vështira ekonomike të brendshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA