PD mban konventën për fermerët

12/04/2013 19:10

Në Tiranë është zhvilluar pasditen e së premtes konventa e Partisë Demokratike për fermerët e vendit, me kryeministrin Berisha që ka premtuar mbështetje për këtë kategori.

Gjatë fjalës së tij Berisha ka deklaruar se, në këto vite është bërë punë e madhe për zhvillimin rural të vendit, por ku proçes sipas tij nuk ka mbaruar me kaq.

“Fermerët janë qytetarë që jetojnë në vështirësi të mëdha. Ne kemi bërë për ta, por u detyrohemi atyre shumë më tepër. Ne do bëjmë gjithçka për t’ua shpërblyer atyre atë punë fisnike që bëjnë për shoqërinë tonë”, ka thënë Berisha.

Kryeministri ka bërë të ditur se, profesorët e Universitetit Bujqësor dhe fermerët vetë kanë dhënë idetë e tyre për programin e qeverisë së tij për këtë sektor në mandatin e ardhshëm.

Ai ka theksuar se, pikërisht mandati i tretë i këtij ekzekutiv do të jetë mandati i përpunimit të plotë të infrastrukturës më moderne.

“Zotimi ynë më solemn është se do bëjmë gjithçka që çdo fshat të ketë infrastrukturën e qyteteve tona. Jam këtu për t’u zotuar para fermerëve, kudo që janë, se në 4 vitet që vijnë, çdo fshat do të ndrisë nga dritat njësoj si lagjet e qyteteve tona”, ka thënë Berisha.

“Ne kemi ndërtuar qindra mijëra shkolla, por vrapi ynë s’do të ndalet kurrë derisa fëmijët e fermerëve të ulen në bankat e shkollave dhe derisa t’u garantojmë ujë të rrjedhshëm të gjitha fshatrave të Shqipërisë”, ka vijuar ai.

Më tej Berisha ka premtuar mbështetjen e fermerëve për nxitjen e prodhimit të produkteve të tyre, sidomos atyre bio, që sipas tij do të përhapen në gjithë Evropën.

“Prodhimet bio janë misioni dhe e ardhmja e fermerëve shqiptarë. Ju nxis të ecni sa më shumë drejt bios, që prodhimet tuaja të njihen në mbarë Europën. Ne do nxisim prodhimin në mbarë Shqipërinë”, ka thënë Berisha.

Peshkimi ka qenë një tjetër sektor i prekur prej tij, i cili sipas fjalëve të kryeministrit në katër vitet e ardhshme do ketë përparësi të madhe.

“Shumë shpejt ne do bëjmë të mundur kredinë e butë me 20 milionë euro, që peshkatarët të kenë mjetet më moderne për të peshkuar në Adriatik dhe Jon”, ka shtuar Berisha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA