Dyshimet dhe akuzat se Shqipëria, një vend anëtar i NATO-s, është përfshirë në trafikun ndërkombëtar të armëve kanë marrë përmasa të tjera.
Top Channel publikon një raport të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili provon se në vitin 2011 autoritetet shqiptare kanë shitur armë në Libi, duke thyer embargon që OKB kishte vendosur ndaj këtij vendi, i cili në atë kohë ishte i përfshirë nga konflikti i armatosur. Raporti zbulon se trafiku është kryer vetëm një muaj para vrasjes së ish diktatorit Muamar Gaddafi.
Grupi hetimor i OKB, i cili ka zhvilluar disa vizita faktmbledhëse në Tiranë, ka dokumentuar se në datat 10,11 dhe 12 shtator të vitit 2011, nga aeroporti i Rinasit janë nisur tre avionë me armatime shqiptare, të cilat sipas dokumentacionit duhet të mbërrinin në Emiratet e Bashkuara Arabe, por në fakt kanë përfunduar në qytetin libian të Bengazit.
Skema e trafikut, që përfshin disa kompani nis me ‘MEICO’, kompaninë publike të Shqipërisë për eksport-importin e armëve. Në korrik të vitit 2011 ‘MEICO’ është kontaktuar nga një kompani armene me emrin ‘D.G Arms Coorporation’, që kërkonte të blinte armatim për llogari të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Por ‘MEICO’ preferoi që shitjen ta kryente te një kompani shtetërore, cka bëri që në skemë të përfshihej edhe ‘Ukrinmash’, një kompani e zotëruar nga qeveria ukrainase. Sipas investigimit të OKB, ‘MEICO’ i ka shitur gjatë kësaj kohe kompanisë ukrainase 800 mijë fishekë të kalibrit 12.7,108 milimeter.
Hetuesit e OKB kanë zbuluar se fishekët shqiptarë, ishte pjesë e një sasie me të madhe prej 2 milionë copësh që ‘Ukrinmash’ duhej t’i shiste Emirateve të Bashkuara Arabe së bashku me 1 mijë armë automatike kallashnikov. Për 1.2 milionë fishekët e tjerë nuk ka informacion se ku kanë përfunduar dhe hetuesit e OKB thonë se janë duke vazhduar hetimet.
Përtej kësaj skeme që në letra dukej si tregti ligjore armësh, në të vërtetë është zhvilluar një trafik i jashtëligjshëm në aksin Tiranë-Bengazi. Ekspertët e OKB kanë faktuar se në datat 10, 11 dhe 12 shtator të vitit 2011, ‘MEICO’ ka siguruar lejet e fluturimit për të eksportuar 800 mijë copë fishekë nga Rinasi drejt aeroporit ndërkombëtar të Abu Dabit.
Por rruga e fluturimit është devijuar dhe tre ngarkesat e nisura për në Abu Dabi kanë përfunduar të treja në qytetin libian të Bengazit. Kompania ajrore që ka bërë transportimin e armëve është armenia ‘AYK AVIA’, një kompani e vendosur më parë në listën e zezë të OKB për thyerje embargosh të armëve, posacërisht në Somali.
Autoritetet shqiptare i kanë deklaruar ekspertëve të OKB-se se ata nuk ishin në dijeni të devijimit të fluturimeve, gjë e cila ka ndodhur jashtë hapsirës ajrore shqiptare. Por hetuesit e OKB thonë se kanë siguruar prova se disa prej autoriteteve shqiptare kishin informacion të bollshëm për këtë devijim, por nuk morën asnjë masë. Sipas tyre, kjo faktohet nga kërkesa për ulje që avioni që ka transportuar armët ka bërë pranë autoriteteve shqiptare.
Ndonëse destinacioni i armëve kishte Emiratet e Bashkuara Arabe, në kërkesën zyrtare të avionit transportues që u është dorëzuar autoriteteve aeroportuale shqiptare ka qënë i përcaktuar që më parë itinerari Tiranë-Zarzis-Bengazi. Në kërksën për ulje saktësohet se materiali që po transportohet cilësohet si i rrezikshëm, cka provon se bëhej fjalë për armatime.
Po kështu, thotë raporti, planet e fluturimit ishin bërë të ditura për autoritetet aeroportuale të Shqipërisë përpara fluturimit të parë dhe tregonin se destinacioni ishte Bengazi. Në total janë bërë tre të tillë, që kanë ndjekur të njëtin itinerar mes Tiranës dhe Bengazit pa u pyetur nga autoritetet shqiptare.
Raporti zbulon se Shqipëria i ka dërguar një letër panelit investigativ të OKB ku sqaron se devijimi i njëanshëm i rrugës së tre avionëve që transportonin armë, nuk ka mundur të vihet re dhe ndalohet nga autoritetet shqiptare dhe ato ndërkombëtare, duke e justifikuar me një gabim njerëzor dhe mungesë vëmendjeje nga agjentët e trafikut.
Në po të njëtën letër autoritet shqiptare thonë se qeveria e Shqipërisë nuk ka asnjë plan apo vendim për të ndërmarrë veprime në kundërshtim me rezolutën e Këshillit të Sigurimit dhe se ka nisur një hetim të brendshëm për të verifikuar shkaqet e dështimit për të parandaluar këtë trafik.
Në raport OKB vlerëson se Shqipëria, ndryshe nga Emiratet e Bashkuara dhe Armenia ka bashkëpunuar plotësisht me panelin e hetuesve të saj, duke ofruar të gjithë informacionin e kërkuar.
Ministria e Mbrojtjes: Nuk furnizuam Gaddafin
Ministria shqiptare e Mbrojtjes deklaron se nuk ka thyer embargon e OKB-së. Ndryshe nga sa shkruhet në raport, ku ministria shprehej për një gabim njerëzor, sekretari i përgjithshëm i këtij dikasteri deklaroi se armët nga Shqiperia kanë shkuar për të furnizuar kryengritësit libianë dhe jo Gaddafin.
“Për Shqipërinë nuk ka thyerje të embargos. OKB ka nisur njëhetim për ngarkesën me 800 mijë fishekë, që kanë mbërritur në destinacione të tjera. Kjo sasi ka shkuar në mbështetje të forcave rebele. Në deklaratat e opozitës ka dy dezinformime: e para se Shqipëria s’ka thyer asnjë embargo; dhe së dyti, se ky furnizim nuk ka shkuar për kolonel Gaddafin, por për rebelët. PS bën po shpifjet e radhës”, ka dekalruar sekretari.
Top Channel