Kostoja e dorëzanisë së Qipros është rritur në 23 miliardë euro, sipas draft-dokumentit të përgatitur nga kreditorët e vendit.
Kostoja fillestare ishte llogaritur në 17,5 miliardë. Por, totali i ri, i përcjellë në dokumentin e parë nga agjencitë e shtypit, do të thotë se Qipros do t’i duhet të gjejë 13 miliardë euro për të siguruar dorëzaninë 10 miliardëshe të Bashkimit Europian dhe FMN-së.
Më parë, u mendua se kjo shifër duhet të ishte 7,5 miliardë. “Kjo ishte shifra, për të cilën diskutuam në nentor, – tha zëdhënësi i qeverisë, Christos Stylianides, – dhe tani na rezulton gjë tjetër. Kush e mban përgjegjësinë për këtë situatë? Si mbërritëm këtu? Besoj se ishte frika dhe mungesa e vendosmërisë, nga ana e qeverisë paraardhëse”, shton ai.
Ekspertët tani ngrenë pyetjen, nëse do të mundet shteti-ishull ta grumbullojë një sasi të tillë parash. Zyrtarët europianë i rrahën shpatullat njëri-tjetrit muajin e kaluar, kur u duk se Qipro shpëtoi nga falimentimi.
Paketa e ndihmës u aprovua: ajo duhet të mblidhte 7 miliardë euro dhe kreditorët do të grumbullonin 10 miliardët e tjerë. Por, ndihma vjen me kushtin e shkurtimit të shpenzimeve qeveritare; recesioni do të thellohet akoma më shumë, ndërsa bankat me probleme mund të kenë nevojë për rikapitalizim të mëtejshëm.
Qipros do t’i duhet të gërrmojë më thellë, e kjo do t’i godasë rëndë depozituesit e mëdhenj të Bankës së Qipros, që përballen me humbje deri në 60%. Gjithmonë e më shumë pikëpyetje ngrihen në këtë pikë, përsa i takon mbijetesës së ishullit në hapesirën e monedhës unike.
Top Channel