Më shumë se 100 mijë studentë marshuan në rrugët e qyteteve kryesore të Kilit, në Amerikën e Jugut, kundër reformave të propozuara nga shteti për arsimin e lartë.
Në kryeqytet, Santiago, policia u detyrua të përdorte gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë protestuesit që nisën të godisnin forcat e rendit me mjete të forta.
Tetë policë mbetën të lënduar, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë për jetën pasi u sulmua me acid dhe 109 persona u prangosën gjatë manifestimit, lajmëruan autoritetet.
Shenjat e trafikut rrugor, dyqane dhe zyra shtetërore u vandalizuan gjatë rrugës së protestuesve.
Studentët argumentojnë se sistemi edukues në Kili, tradicionalisht i konsideruar si më i miri në kontinent, është thellësisht i padrejtë.
Ndërsa studentët e klasës së mesme dhe të lartë kanë akses ndaj disa prej shkollave më të mira në botë, të varfërit duhet të kënaqen me shkollat e keqadministruara shtetërore, për të cilat pagesat kanë ardhur në rritje pavarësisht nivelit të edukimit që lë për të dëshiruar.
Ndonëse kërkesat e unionit studentor i janë paraqitur autoriteteve që prej dy vitesh, kjo ishte protesta e parë masive në shkallë kombëtare dhe vetë analistët politikë mbetën të befasuar nga numri i madh i pjesëmarrësve dhe përdorimi i dhunës në manifestim.
Top Channel