Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry ka deklaruar se një lëshim i parakohshëm rakete nga Korea e Veriut do të ishte një akt provokues dhe një gabim shumë i madh.
Veriu ka vendosur dy raketa në bregun e tij lindor dhe Korea e Jugut është në gatishmëri. Duke folur nga Seuli, Kerry rikonfirmoi angazhimin e SHBA për të mbrojtur veten dhe aleatët.
Por nga ana tjetër ai minimizoi zërat amerikanë se Veriu ka një kokë bërthamore, duke thënë se do të ishte e pamatur të thuhej se Peniani ka një aparat të cilin e ka testuar.
Një fragment i një raporti të Defense Intelligence Agency kishte paralajmëruar se kishte gjasa që Peniani të ketë zhvilluar teknologjinë për të montuar një kokë bërthamore në një raketë.
Korea e Veriut do të shënojë lindjen e themeluesit Kim Il Sung më 15 prill, një datë që mund të përdoret për të lëshuar raketën.
Peniani ka lëvizur dy raketa balistike “Musudan” në bregun e tij lindor, me vlerësime të ndryshme për rrezen e tyre të veprimit, por disa ekspertë sugjerojnë se ato mund të udhëtojnë deri në 4 mijë kilometra.
Nëse është e vërtetë, baza amerikane në Guam përfshihet në rrezen e raketës, edhe pse mendohet se “Musudan” nuk është testuar më parë.
Në një konferencë për shtyp me homologun koreano-jugor, zoti Kerry tha se ç’mund të ndodhë nëse Kim Jong vendos të proçedojë me lëshimin.
“Atëherë atij do t’i duhet të injorojë të gjithë komunitetin ndërkombëtar, detyrimet që ka marrë përsipër dhe do të kryejë një akt provokues dhe të padëshirueshëm, që do të ngrejë temperaturën”, ka thënë Kerry.
Top Channel