Gjinushi: LSI ta rrëzonte Berishën

12/04/2013 00:00

Kryetari i Partisë Socialdemokrate Skënder Gjinushi deklaroi se LSI
duhet ta rrëzonte Qeverinë Berisha dhe më pas të kalonte majtas.

“Dihet që me Sali Berishen nuk ka zgjedhje të standardeve, nuk ka as ligj. Partia Socialdemokrate ka qenë e prerë, madje kemi theksuar që çdo tentativë reforme me Sali Berishën është vetëm një mashtrim, pra ky duhej hequr 24 e më parë. Prandaj edhe e kemi theksuar që LSI duhet ta rrëzonte Qeverinë, sepse po e le në këmbë Berisha deri në fund të kafshon. Gjithë meraku i PSD-së nuk është vetëm thjesht çështja morale, është edhe garancia që mund të kesh me LSI-në, e cila e ka bërë ves që të lëvizë nga e majta në të djathtë, dhe nuk e dimë a është kuruar nga kjo sëmundje”, tha Gjinushi.

AK: Berisha po shkatërron zgjedhjet

Sekretari i Marrëdhënieve me Publikun i Aleancës Kuqezi, Rezar Balla, në një deklaratë për mediat u shpreh se kjo forcë muaj më parë ka denoncuar lëvizjet e Berishës, që sipas AK-së, tashmë provoi me prekjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve se është njeriu që ka shkaktuar dhe do të vijojë të shkaktojë krizat më të thella institucionale në Republikën e Shqipërisë, duke e trajtuar si harac të tijin Kushtetutën dhe institucionet kushtetuese.

“Aleanca Kuqezi, si e vetmja forcë opozitare qe ka qendruar e palekundur ne poziten e saj kunder çdo akti tradhtar te shtetasit Berisha, i ben thirrje mbare institucioneve nderkombetare qe monitorojne proceset zgjedhore para gjate dhe pas dites se votimit, të mbajnë një qëndrim jo vetëm përmes deklatareve, por të dënojnë me forcë dhe të parandalojnë kasapin e votës së lirë ta rifusë vendin në krizë”, tha Balla.

Top Channel