Braçe: Armët, Berisha u kap në flagrancë

12/04/2013 19:45

Erjon Braçe, deputeti socialist që tre muaj më parë denoncoi trafikun e armëve te Ministrisë së Mbrojtjes drejtuar prej Arben Imamit, e komenton raportin e OKB-së si pothuajse fundin e një beteje tashmë të fituar midis PS dhe deputetëve të komisionit të sigurisë kombëtare me dikasterin e Mbrojtjes.

Sipas deputetit Braçe, kryeministri Sali Berisha pas publikimit të raportit të Këshillit të Sigurimit është kapur në flagrancë, sikurse edhe me thyerjen e embargove të mëparshme.

“Ngjarja është e përsëritur, veçanërisht me Sali Berishën. Si president i Republikës është verifikuar trafiku i armëve në Ruanda, është faktuar thyerja e embargos së naftës dhe armëve gjatë konfliktit në ish-Jugosllavi dhe ky është raporti i tretë që hedh dritë për një trafik të kryer në 3 vitet e fundit”, deklaron Braçe.

Sipas Erion Braçes, ky raport nuk duhet anashkaluar apo arkivuar, por duhet të nxirren përgjegjësitë politike dhe penale për aktorët politikë dhe ushtarakë të përfshirë në këtë tregti armësh. Ai i drejton disa pyetje kryeministrit Berisha, pasi këtë ngjarje e konsideron  një tradhëti ndaj partnerëve tanë si NATO apo SHBA.

“Sot është dita që Berisha të shpjegojë: A ka patur vendim politik të tij dhe qeverisë për të furnizuar me armë regjimin kriminal të Muammar Gaddafit? A ka patur vendim tregtar të tij dhe qeverisë për të hyrë në marrëdhënie tregtare me ushtarakë të ndaluar nga OKB në favor të regjimit të Gaddafit?”, thekson Braçe.

Braçe thotë më tej se i takon prokurorit të përgjithshëm të Republikës të hapë sa më parë një hetim serioz mbi bazën e këtij raporti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA