Anëtari i KQZ, PD nuk tërhiqet

12/04/2013 00:00

Për të shpjeguar ligjshmërinë e vendimit për zëvendësimin e anëtarit të LSI-së në Komisionin Qendror të Zgjedhje,  shefi i kabinetit të kryeministrit, Oerd Bylykbashi, bashkë-hartues i Kodit Zgjedhor që nga viti 2000, si ekspert i OSBE-së, i referohet marrëveshjes së vitit 2003.

Kjo marrëveshje i dha fund sipas tij hegjemonisë së Partisë Socialiste në administratën zgjedhore dhe vendosi parimin e balancimit politik në të gjitha nivelet, ku mazhoranca përfaqësohet me 4 anëtare dhe opozita me 3.

Me largimin e LSI-së nga koalicioni, prej të cilit e përfitoi anëtarin në bazë të një marrëveshje politike, Oerd Bylykbashi thotë se parimi i balancimit, që përshkon të gjithë Kodin Zgjedhor ështe rrëzuar.

“Aktualisht, sic është sot, e gjithë administrata, edhe KQZ, edhe niveli i dytë është 100 % në dorën e PS, sepse jo vetëm jemi në raportin 4 me 3 në KQZ, në kundërshtim me atë që thotë Kodi Zgjedhor, por e gjithë administrata e nivelit të dytë, të gjitha KZAZ-të, sot, në këtë moment, janë nën kontrollin e PS. Gjysma e komisioneve është në raportin 4 me 3 për PS dhe gjysma tjetër është 5 me 2 po për PS. Pra, ajo që kërkon Kodi në mënyrë të shprehur, që 50% të komisioneve duhet ta ketë mazhoranca dhe 50 % të komisioneve duhet ta ketë opozita, nuk ekziston më. Është thërrmuar dhe kjo garanci është zhdukur, sepse në fakt është guri i themelit i ngrehinës së administratës zgjedhore, i KQZ-së dhe më poshtë. Nëse hiqet guri i themelit, të gjithë e dimë që ngrehina bie”, thotë Bylykbashi.

Me kalimin e LSI-së në opozitë, zoti Bylykbashi llogarit që edhe grupet e numërimit të votave shkojnë në favor 3 me 1 për opozitën. Dhe këtu sipas tij shkelet sërish Kodi Zgjedhor, i cili përcakton qartë ngritjen e administratës zgjedhore mbi balancimin politik. Zoti Bylykbashi nuk i lexon njësoj si kryetari i Partise Socialiste Edi Rama deklaratat e partnerëve ndërkombëtare, të cilët i konsiderojnë apolitikë anëtarët e KQZ-së.

“Në fakt ndërkombëtarët thonë diskutoni, por zoti Rama e injoron totalisht këtë pjesë dhe vazhdon me fantazinë e tij të sëmurë për të gjetur daljen nga kjo situatë që ka. Zoti Rama nuk po bën gjë tjetër, vecse po përzgjedh fraza të deklaratës dhe i shtrembëron ato për të cuar më tej idenë e tij, të marrë mazhorancën e KQZ dhe të të gjithë administratës, në mënyrë që t’i marrë zgjedhjet, jo t’i fitojë ato. Mendon trukun e ditës për të fituar në tavolinë zgjedhjet. Qendrim më të sëmurë se kaq nuk mund të ketë”, shton Bylykbashi.

Oerd Bylykbashi argumenton se Kodi Zgjedhor e ka të rregulluar mbajtjen e barazpeshimit politik në KQZ. Sipas tij, nëse mazhoranca parlamentare ndryshon në legjislaturën pasardhëse, ndryshohet kryetari i KQZ-së, i cili ka mandat të njëjtë me parlamentin, ndryshe nga 6 anëtarët e tjerë, që kanë mandat 6-vjeçar.

“Pra ruhet raporti 3 me 3 dhe vetëm kryetari bën gjilperën e peshores, që bën rotacionin e mazhorancës në një krah ose në krahun tjetër. Më qartë se sa kaq, Kodi Zgjedhor nuk mund ta thotë”, thotë këshilltari i kryeministrit Berisha.

Këto argumente e çojnë Partinë Demokratike në vendimin për të zëvendësuar të hënën anëtarin e LSI-së në opozitë, me një kandidat të PR në qeveri.

“Komisioni i Ligjeve e ka mbyllur procedurën e tij. Tani është radha e parlamentit. Krijohet vakanca, ka kandidatura dhe do të votohet kandidati më i  mirë”, thotë Bylykbashi.

TCH: Pra nuk ka tërheqje nga kjo procedurë?

Bylykbashi: Jo! Nuk ka tërheqje.

Top Channel