Nëse dikur fluturimi është konsideruar si “luks” i disa njerëzve, sot çdo njeri mund të zhvendoset lehtësisht në pika të ndryshme të botës duke zgjedhur linjat e avionëve të shumtë.
Gjatë këtyre dy dekadave të fundit, teknologjia e fluturimit në botë është modernizuar ndjeshëm për të garantuar një udhëtim të sigurt dhe konfort. Këtë hap të konsiderueshëm në fushën e aviacionit në vendin tonë e gjejmë të pasqyruar më së miri tek Agjencia Nacionale e Trafikut Ajor, e cila ka për funksion menaxhimin dhe kontrollin e hapësirës ajrore shqiptare në përputhje me standartet ndërkombëtare të navigimit ajror.
Siguria mund të etiketohet si kryefjala në të gjithë procesin e punës, ulje-ngritjeve apo koordinimit në ajër të fluturimeve në hapësirën shqiptare, e cila me realizimin e projektit madhor NAMP (Modernizimi i Hapësirës Ajrore Shqiptare) ofrohet në kushte bashkëkohore dhe me cilësi të lartë.
Sokol Duraj, kontrollor në kullën e vrojtimit, thekson: “Ne kontrollojmë momentin e uljes dhe ngritjes së avionëve në mënyrë që të jemi sa më të sigurt në këto dy aksione të tyre.”
Agjencia Nacionale e Trafikut Ajror, apo siç njihet shkurtimisht, ANTA, është pjesëtare e Eurokontrollit dhe Sistemit të Tarifave të Rrugëve Ajrore që prej vitit 2003 dhe njëkohësisht anëtare e Organizatës Botërore të Trafikut Ajror, CANSO, prej vitit 2009, gjë që garanton standarde të unifikuara fluturimi, sikurse edhe 27 vendet e Bashkimit Europian.
Voltan Vorpsi, shef i ATC-së (Salla e Kontrollit të Trafikut Ajor), thotë: “Qendra e re ofron një modernizim të kontrollit të trafikut ajror. Puna është e vështirë. Konsiston në numra, shpejtësi avionësh dhe duhet kujtesë e mirë.”
Gjatë viteve 2009-2012, ANTA ka pasur një periudhë intensive modernizimi dhe zhvillimi. Në një kohë të shkurtër, Agjencia bëri të mundur modernizimin e hapësirës ajrore. Pas kalimit të fazave të testimit, në 3 Prill 2012, u arrit me sukses fillimi i punës në qendrën e re operacionale të Kontrollit të Trafikut Ajror: “Në njësinë e Tiranës kemi sektorin që merret me aeroportin e Rinasit dhe sektorin që merret me mbikalimet në hapësirën ajrore të Shqipërisë.”
Referuar konceptit të një qielli të vetëm europian, brenda një kohe të shkurtër ANTA mundi të marrë 5 certifikime ISO nga partnerët ndërkombëtarë. Tashmë ajo zotëron standardin e mirënjohur ISO në sistemin e menaxhimit të cilësisë, sistemin e menaxhimit të mjedisit, sistemin e menaxhimit të kujdesit të shëndetit dhe sigurisë në punë, sistemit të menaxhimit të sigurisë së informacionit si dhe të shërbimit të teknologjisë së informacionit. Ruajtja e këtyre standardeve është në fokusin e përditshëm të të gjithë stafit të ANTA sha, që në bashkëpunim me kolegët ndërkombëtarë të ofrojë një shërbim të sigurtë dhe sa më cilësor për udhëtarët në fluturim.
Top Channel