Kryetari i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, ka qenë i ftuar në formatin special të emisionit Top Show, “Magazine”, ku ka folur veç të tjerash për protestën e zhvilluar ditën e enjte përpara parlamentit, për Rezolutën Çame, si dhe për aleancat e mundshme parazgjedhore për zgjedhjet e 23 qershorit.
“Ne sot rrethuam parlamentin shqiptar, për ta vënë nën presionin e shqiptarëve, si kundërpeshë e presionit të ushtruar nga shteti fqinj, Greqia, pasi në diskutime, në vija të përgjithshme, të gjitha palët shprehen pro Rezolutës Çame, por kur vjen puna te guri i provës, aty në parlament, shohim një lloj hezitimi, ndikuar në pjesën kryesore nga presioni i grekëve”, është shprehur Idrizi, duke dhënë kështu një nga arsyet e mbajtjes së kësaj proteste, pikërisht para parlamentit.
Fatos Beja bëri publik një ‘miratim’ të mëhershëm të Rezolutës…
“Ishte si një rënie gongu, u surprizova në fakt, kur e mora vesh. Ishte një histori e çuditshme, që mund të ndodhë vetëm në parlamentin shqiptar, por që jo rastësisht kundër çështjes çame. E pamë vërtet një fletë, që dukej sikur kishte firmat e duhura për miratim, por që në fakt, në relacionin e zotit Pëllumbi, ish-kryetar i parlamentit atëherë, thuhej në fund se nuk ishte miratuar ajo rezolutë e vitit 2004. Ne kemi kërkuar një hetim nga kryetarja aktuale e parlamentit, e megjithatë mendoj se kjo i përket një iniciative të kaluar, pasi tashmë do të ishte më mirë të merremi me rezolutën e vitit 2013”, deklaroi Idrizi.
Rezoluta, kusht për aleancat e ardhshme…
“Këtë rezolutë besoj se ia kam drejtuar parlamentit shqiptar, me shqiptarë brenda, dhe në rast të mosmiratimit të saj, kjo do të përbënte të vetmin ‘faj timin’, për të cilin do të fajësoja vërtet veten time, pasi do të nënkuptonte se kërkesën për miratim të kësaj rezolute ia kam drejtuar një parlamenti ‘joshqiptar’. Ne tashmë ia kemi lënë atyre në dorë, gurët janë në duart e tyre, por nuk besoj se parlamenti shqiptar do të dojë të lërë mënjanë një parti që mbledh 10 mijë vetë në 2 ditë, pasi kaq ishte numri i të pranishmëve në protestën e sotme. Me pak fjalë, thelbi i gjithçkaje është se për çështjen çame, nuk ka nevojë të gërmohet shumë thellë, pasi faktet dhe historia jonë janë evidente dhe shumëvjeçare. Nëse mund ta përkufizojmë me një shprehje, do të thoja: Të vdekurit (çamët) nuk i hanë të gjallët, por ne (parlamentarët), nëse do të gërmojmë aq thellë, thjesht sa do të përdhosim të vdekurit”, ka përfunduar zoti Idrizi, duke mos dhënë asnjë indicie, nëse PDIU do të anohet majtas apo djathtas, por duke deklaruar vetëm se “çamët kanë partinë e tyre dhe do të shkojnë në zgjedhje me partinë e tyre”.
Top Channel