Të paktën 36 policë në qytetin indian të Mumbait janë pezulluar nga detyra pasi janë filmuar teksa merrnin ryshfete. Pamjet filmike tregojnë policët teksa marrin para nga një biznesmen, i cili po bënte një ndërtim.
Biznesmeni ka deklaruar se gjatë punimeve ai ishte vizituar nga disa policë, të cilët kërkonin ryshfet në këmbim të lejimit të punës. Pamjet janë regjistruar në një periudhë kohore prej dy javësh në mars.
Shefi i policisë së Mumbait e cilësoi episodin si një “incident të turpshëm” dhe tha se, nëse policët do të shpallen fajtorë, ata do të ndëshkohen. Autoritetet kanë urdhëruar një hetim nga drejtoria e anti-korrupsionit.
Biznesmeni ka deklaruar se e kishte instaluar video-kamerën pasi disa policë e kishin kërcënuar se do t’i bllokonin punimet nëse nuk do të kishte paguar “gjobën”.
Ai ia dorëzoi pamjet një oficeri të policisë, i cili veproi kundër agjentëve. Ky është aksioni i parë që kryhet ndaj një numri kaq të madh policësh në Mumbai.
Në faqen e internetit të forcave të rendit policia përshkruhet si “një gardiane e besimit tuaj, që lufton për të siguruar ligjin me vendosmëri, pa frikë dhe me paanshmëri”.
Top Channel