Saviano: Kokaina luftohet me legalizimin

10/04/2013 15:45

Për gazetarin italian Roberto Saviano, ekspert i krimit të organizuar, trafiku ndërkombëtar i drogës mund të mposhtet vetëm përmes një mënyre: legalizimin.

“Legalizimi është e vetmja rrugë. Përballë miliardave që kokaina lëviz nëpër botë, nuk ka alternativa të tjera”, ka thënë Saviano.

Kur kanë kaluar 7 vjet nga bestselleri i tij “Gomorra”, Saviano ka folur për “Corriere della Sera” për librin e tij të ri “Zero, zero, zero”, që flet pikërisht për trafikun e kokainës.

“Sigurisht që kjo ka një kosto sociale të rëndësishme, por duhet të marrim parasysh se po flasim për një xhiro aferash ilegale që shkon mbi 300 miliardë dollarë dhe që dëmton tërë ekonominë botërore”, ka thënë Saviano.

Për të shkruar librin e ri, gazetari ka qëndruar për disa muaj në Shtetet e Bashkuara, ku ka mbledhur informacione nga zyrtarë e ish-zyrtarë të lartë të anti-drogës.

Titulli “Zero, zero, zero” i referohet në fakt pseudonimit Triple Cero, që i përkiste Salvatore Mancuso, lider i një njësie paraushtarake kolumbiane dhe një eksponent i rëndësishëm i trafikut botëror të drogës.

Në libër flitet për historinë e tij dhe për atë të trafikantëve kryesorë kolumbianë e meksikanë, për betejat mes karteleve dhe mizorinë e vrasësve që torturuan agjentin e DEA-s, Kiki Camarena, duke i ngulur një levë hekuri në kafkë dhe duke bërë që ai të humbiste herë pas here ndjenjat nga dhimbja.

I shkruar si një ditar udhëtimi, “Zero, zero, zero” tregon mijëra fytyrat e dhunës kriminale, viktimat e pafajshme, torturat dhe gjymtimet që i janë bërë atyre që janë rebeluar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA