OBT: Rritje e ulët për tregëtinë në 2013-n

10/04/2013 15:50

Organizata Botërore e Tregëtisë (OBT) reduktoi pritshmërinë e saj për rritjen ekonomike globale të vitit 2013, si rrjedhojë e rreziqeve shtesë që vijnë nga kriza e Eurozonës dhe tendencës për rivendosje të taksave doganore për të mbrojtur ekonomitë lokale.

Në vlerësimin e saj, OBT çmon se tregëtia pritet të rritet me 3,3% gjatë këtij viti, ndërsa parashikimi i mëparshëm fliste për 4,5%.

”Lajmi i mirë është se rritja duhet të rikthehet e fuqishme në 2014-n, kur tregëtia pritet të përjetojë një bum mbi 5%”, deklaroi drejtori i përgjithshëm i OBT-së ditën e mërkurë, Pascal Lamy.

Në rekomandimin e tij, Lamy vlerësoi se ka nevojë për më shumë “nivele rregullatore në tregëti”, për të reduktuar papunësinë dhe stimuluar rritjen ekonomike.

”Përmirësimi ekonomik amerikan, pritet të balancojë deri diku problemet e Bashkimit Europian, ekonomitë e të cilit pritet të vazhdojnë të qëndrojnë në stanjacion ose të kontraktohen pak, sipas vlerësimeve të agjensive kombëtare. Edhe një herë, rritja e Kinës do të tejkalojë atë të çdo vendi tjetër të zhvilluar, por edhe eksportet kineze do të dëmtohen nga rënia e fuqisë blerëse në Europë”.

Ndërkohë, OBT bëri të ditur se rritja e volumit të tregëtisë ishte prej 2% gjatë vitit të shkuar.

Ky është rezultati i dytë më i dobët që prej fillimit të realizimit të matjeve, në vitin 1981. Rekordi negativ i përket vitit 2009, kur tregëtia botërore regjistroi rënien e vetme në mbi tre dekada.

Rritja mesatare e dy dekadave të shkuara ka qenë prej 5,3%. Vlerësimi për rritjen e volumit të shkëmbimeve tregëtare është një prej treguesve kryesore të rritjes ekonomike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA