Zhvillimi i uraniumit, rriten tensionet në Iran

09/04/2013 15:40

Dy ditë pasi bisedimet midis Iranit me pesë vendet me të drejtë veto në OKB, plus Gjermaninë, u mbyllën pa ndonjë marrëveshje domethënëse, Irani lajmëroi për hapjen e një qendre të re të përpunimit të uraniumit.

Një lëvizje e tillë thellon krizën midis shtetit aziatik dhe komunitetit ndërkombëtar, i shqetësuar për programin bërthamor të Teheranit.

Në të shkuarën, presidenti i vendit, Mahmoud Ahmadinejad, është zotuar për shkatërrimin e plotë të Izraelit.

Përveç qendrës së re të pasurimit, televizioni shtetëror lajmëroi edhe për hapjen e një miniere të nxjerrjes së lëndës radioaktive, në krahinën e Jazdit.

Si rrjedhojë e ambicieve të tij bërthamore, Irani përballet aktualisht me sanksione të ashpra nga ana e OKB-së dhe sanksione të tjera të njëanshme nga SHBA.

Këto masa që dëmtojnë direkt ekonominë iraniane dhe biznesin në këtë vend, kanë ndikuar në përkeqësimin e ndjeshëm të standartit të jetesës dhe rritjen e presionit mbi presidentin në largim, Ahmadinejad.

Më parë gjatë vitit, në një vizitë zyrtare në Izrael, Obama konfirmoi vullnetin e palëkundur të SHBA-së për të “penguar një Iran bërthamor, që do të minonte paqen në botë, edhe me koston e një lufte”.

”Është e drejta e palëkundur e një shteti sovran si Irani, që të pasurojë uraniumin e tij në nivelin e 5% apo 20%”, deklaroi pavarësisht presionit, kryenegociatori iranian për çështjet bërthamore, Saed Jalili.

Pasurimi në nivelin 5% kryhet për uraniumin që më pas përdoret në reaktorët e përdorur për qëllime civile. Pasurimi deri në 20% përgatit uraniumin për qëllime ushtarake.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA