Ki-moon: Të shmangen “shkëndijat” në Kore

09/04/2013 21:40

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, paralajmëroi se kriza në Gadishullin Koreanë mund të dalë nga kontrolli dhe të përshkallëzohet në një konflikt të përgjakshëm me rrjedhoja për të gjithë botën.

Në fjalën e tij, Ki-moon i kërkoi Penianit që të tërhiqet nga “retorika provokuese”, ndërsa kërkoi që të mbahet i hapur kompleksi i përbashkët industrial midis dy Koreve, në Kaesong, në anën koreanoveriore të kufirit të çmilitarizuar.

Reagimi i Ban erdhi ndërsa regjimi i diktatorit Kim Jong-un iu rikthye kërcënimeve, duke i bërë thirrje të gjithë shtetasve të huaj që të largohen nga Korea e Jugut, pasi në rast të një goditje nuk mund të garantohet siguria e tyre.

Javën e shkuar, Peniani kërkoi gjithashtu evakuimin e ambasadave brenda vendit për arsye sigurie, ndërsa zhvendosi disa sisteme raketore më pranë Koresë së Jugut dhe SHBA-së, veprim që nga ana e tij Jugu gjithashtu iu përgjigj me rritje të mobilizimit ushtarak dhe të mobilizimit në vend.

”Një incident i vogël, i shkaktuar nga keqllogaritja apo gjykimi i gabuar, mund të krijojë një situatë të pakontrullueshme”, paralajmëroi Ban.

”Kompleksi i Kaesongut, si një prej projekteve më të suksesshme të bashkëpunimit midis dy Koreve duhet të rifillojë punë. Ai nuk duhet të ndikohet nga çështje politike, pasi është thjesht një marrëveshje ekonomike”.

Tensioni në Gadishullin Korean ka ardhur në një spirale përshkallëzimi të rrezikshëm që prej muajit dhjetor, kur Peniani lëshoi në hapësirë një satelit, nëpërmjet një rakete me rreze të gjatë veprimi dhe kreu një shpërthim bërthamor, në muajin shkurt, në kuadër të testimit të armëve të reja.

Si rrjedhojë e këtyre veprimeve në kundërshtim me paktet dhe zotimet e firmosura nga Korea e Veriut përpara OKB-së, vendi komunist u bë subjekt i sanksioneve të reja ekonomike, të cilave Peniani iu përgjigj në mënyrë sfiduese, duke anulluar armëpushimin e vitit 1953 me Korenë e Jugut dhe duke rikthyer gjendjen e luftës, së bashku me kërcënimet për shkatërrimin e plotë bërthamor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA