Vazhdon të shkaktojë viktima besimi tek magjia e zezë në Papua Guinea e Re, vendi që shtrihet në Paqësor.
Dy gra të moshuara janë torturuar për tre ditë dhe më pas u është prerë koka në ishullin lindor Bugainvill, bën të ditur e përditshmja kombëtare “Courier Post”.
Policia, e thirrur për të liruar dy gratë, ka qenë e pranishme gjatë vrasjes, por një turmë e madhe dhe agresive e ka penguar atë që të ndërhynjë.
Të torturuara për tre ditë, të plagosura me thikë dhe sëpata, në fund dy grave u është prerë koka, ka thënë policia, e cila është përpjekur të negociojë me turmën, por pa pasur sukses.
“Nuk mundëm të bënim gjë”, ka thënë për të përditshmen shefi i policisë lokale Herman Birengka, duke shtuar se disa persona tentuan të lironin dy gratë, por nuk ia arritën.
Gratë u kapën dhe u mbajtën si të burgosura të martën e kaluar nga të afërmit e një ish-mësuesi shkolle që kishte vdekur pak ditë më parë.
Ngjarja vjen pak ditë pas një tjetër dënimi popullor për magji të zezë, të verifikuar në Malet Jugore të të njëjtit shtet, ku gjashtë gra u torturuan me leva hekuri të nxehta dhe më pas u dogjën të gjalla.
Muajin e kaluar një nënë e re në moshë, e akuzuar për vdekjen e një fëmije 6-vjeçar me praktika magjike, u zhvesh me dhunë, iu hoqën rrobat dhe u dogj e gjallë përpara një turme, mes të cilës kishte edhe fëmijë.
Top Channel