Policia turke përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë një turmë prej dhjetëra mijëra protestuesish, që u grumbulluan përpara një gjykate në Stamboll, për të kërkuar lirinë për 275 të pandehur, të akuzuar për organizimin e një grushti shteti.
Disa prej protestuesve tentuan që të shpërthenin rrethimin e policisë, ndërsa shumë të tjerë lëshuan sllogane anti-qeveritare e shprehën solidaritetin e tyre me të pandehurit.
Dhjetëra persona u arrestuan.
Sipas akuzës, rrjeti i njohur si “Ergenekon” tentoi të rrëzonte me përfshirjen e ushtrisë partinë e kryeministrit Erdogan.
Që prej marrjes së pushtetit nga Erdogan, kryetari i një partie pro-islamike, me qindra oficerë të lartë të ushtrisë dhe policisë, janë shkarkuar apo arrestuar.
Mes të pandehurve, koka e rrjetit, gjenerali Basbug dhe 63 oficerë të tjerë, midis të cilëve nëntë gjeneralë, rrezikojnë dënimin me burgim të përjetshëm.
Ata akuzohen se tentuan të shpallnin luftë ndaj Greqisë, për të futur vendin në kaos dhe rrëzuar qeverinë e Erdogan, në pushtet që prej vitit 2002.
Turqia, një vend ku ushtria me kushtetutë ka një ndikim të rëndësishëm në jetën politike të vendit, ka përjetuar tre grushte shtetesh në vitet 1960-80.
Top Channel