
Deputeti demokrat Gert Bogdani, në një deklaratë për media u shpreh se
‘javën e kaluar, Rama telefonoi e solli në Tiranë shokët e tij humbës të
Internacionales Socialiste, që kanë të njëjtin fat si ai, në një
përpjekje te dëshpëruar për te shuar rebelimin që ka nisur ne partinë e
tij dhe përpjekjen për të ardhur në pushtet me çdo kusht’.
“Dihen botërisht arsyet pse Rama dhe shokët e tij janë humbës.Sepse ata kanë të njëjtat ide dështake të së shkuarës, si rritja e taksave, pengimi i biznesit, rritja e papunësisë.Humbësit që Rama ftoi janë braktisur nga qytetaret e tyre sepse ata kane refuzuar me kohë këto ide të rrezikshme, bashkë me ideatorët e tyre.
Ai i ftoi këto ditë për ta shpëtuar nga rebelimi i njerëzve të tij që deklarojnë se duan të shpëtojnë nga Rama, por nuk po e heqin dot dhe mezi presin 23 qershorin t’i japin duart. Edi Rama ka një zakon të vjetër; ai merr këshilla vetëm nga humbësit, lista e të cilëve është shumë e gjatë. Ndaj nuk është çudi që këshillat e tij tani të vijnë edhe nga Kuba apo Venezuela”, tha Bogdani.
Mediu: Të konkurrojmë me vlera
Partia Republikane prezantoi Luan Duzhën në Elbasan, si një prej kandidatëve të saj në këtë qark. Kryetari republikan Fatmir Mediu tha se është në interesin e koalicionit të qendrës së djathtë të paraqitet me njerëzit më të mirë për të ruajtur dhe për të përmirësuar rezultatin elektoral të 2009, duke e nxjerrë kështu fitues këtë koalicion.
“Elbasani ka 15 mijë vota që janë dhënë nga partitë aleate dhe nga këto 15 mijë, rreth 3500 janë të Partisë Republikane. E dini se nëqoftëse ky koalicion në Elbasan merr 1500 vota më pak, deputeti i shtatë i kalon të majtës? Pra ky le të jetë një reflektim i thellë joaritmetik për të përcaktuar njerëzit më të mirë për të konkurruar, për të bashkëpunuar si e djathtë, jo në interesa të ngushta, por në interesa të shoqërisë së Elbasanit dhe të mbarë Shqipërisë”, tha Mediu.
Oketa: FRD, e vetmja zgjedhje
Deputeti i FRD-së, Gazmend Oketa deklaroi se lista e kandidatëve që ky grupim politik do të paraqesë para qytetarëve shqiptarë në zgjedhjet e 23 qershorit, do të jetë një listë dinjitoze, një listë ku do të jenë të mishëruara ato parime, ai moral politik mbi të cilat është ndërtuar Fryma e Re Demokratike.
“Kemi deklaruar për përjashtimet e partive me të cilat nuk bëjmë koalicion, nga ana tjetër i kemi qëndruar vazhdimisht korrekt deklarimeve tona se jemi të përgatitur si forcë, si grupim politik për të hyrë dhe të vetëm në këto zgjedhje dhe për të ofruar për qytetarët shqiptarë një alternativë dinjitoze”, tha Oketa.
Idrizi, thirrje Parlamentit
Gjatë një takimi me mbështetësit në qytetin e Cërrikut, kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi është ndalur gjatë te rezoluta për zgjidhjen e cështjes came. Idrizi bëri thirrje që traktati i miqësisë të funksionojë edhe për Shqipërinë, jo vetëm për Greqinë.
“Parlamenti dhe partitë poliike, është e qartë që janë nën presionin e Greqisë. Unë ju ftoj sot juve, i ftoj sot të gjithë shqiptarët, kudo që janë, anembanë botës, i ftoj të gjithë shqiptarët në Shqipëri që të bëheni bashkë dhe të bëjmë një fron shqiptarësh pikërisht për t’i bërë presion Parlamentit të shqiptarëve”, tha Idrizi.
Top Channel