Itali, operacion anti-mafie, 40 në pranga

08/04/2013 16:30

Karabinierët në Itali kanë ndërmarrë të hënën një operacion të gjerë për të shkatërruar një familje mafioze në qytetin e Palermos, që po u imponohej me forcë familjeve të tjera.

Sipas raportimeve të mediave italiane, qindra karabinierë, që prej mëngjesit, i kanë dhënë një goditje të fortë familjes që vepron në zonën Kamporeale, duke arrestuar 40 anëtarë të saj.

Hetimet mbi këtë grupim mafioz kanë nisur që në vitin 2010 dhe janë koordinuar nga DIA e Palermos, duke vënë në dukje metodat se si mafia siçiliane po riorganizohet.

Në veçanti, është dokumentuar formimi i familjes Kamporeale, lindur nga bashkimi i familjeve të dy zonave të tjera, San Xhuzepe Jato dhe Partiniko. Bashkim ky që kishte mundësuar epërsinë ndaj grupeve të tjera kriminale.

Në operacion, që ka përfshirë të gjithë zonën perëndimore të Palermos, janë angazhuar rreth 300 karabinierë, të mbështetur nga dy helikopterë.

Ndonëse jo e fuqishme si më parë, Cosa Nostra vazhdon t’i “marrë frymën” ishullit të Siçilisë. Ekspertët e krimit të organizuar thonë se arsyet përse shteti italian nuk i jep një goditje përfundimtare organizatës janë pikërisht favoret që kjo e fundit i bën politikës.

Kështu, mafia ndihmon politikanët të sigurojnë votat, eleminon “pengesat” që ata mund të kenë dhe në këmbim siguron dorë të lirë për të kontrolluar ekonominë e ishullit, kryesisht duke zhvatur bizneset dhe manipuluar në favor të saj tenderat e punëve publike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA