
Ardhja në krye të dikasterit të shëndetësisë së Halim Kosovës, ka sjellë
dorëheqjen e drejtorit të politikave në Ministrinë e Shëndetësisë,
Pëllumb Pipero.
Në një letër të hapur, Pipero ka sqaruar arsyet e marrjes së këtij vendimi duke theksuar se nuk cilëson veten si viktimë të prishjes së koalicionit PD-LSI.
Ai thekson se dorëheqja e tij nga detyra vjen në kohën e duhur duke shtuar se do të vijojë të punojë në profesionin e tij si mjek në QSUT.
“Unë sot, në mirëkuptim të plotë me Ministrin e ri të Shëndetësisë, mjekun e njohur dhe mikun tim Dr. Halim Kosova, vendosa të jap dorëheqjen nga një përgjegjësi që më dha kënaqësinë dhe përgjegjësinë t’ju shërbej më mirë qytetarëve, por dhe të bashkëpunoj me ju.
Me këtë rast i uroj Dr. Halimit suksese, duke i premtuar se edhe jashtë ekipit të tij unë vazhdoj ta ndiej veten pjesë të ekipit. Duke mos e konsideruar veten si “viktimë” të prishjes së një koalicioni deri tani shumë funksionues, të përligjur e të suksesshëm, por ndoshta jo të natyrshëm, e vlerësoj dorëheqjen time si një akt më se normal, që vjen në kohën e duhur dhe njëkohësisht më krijon mundësinë dhe me jep privilegjin të vazhdoj t’ju shërbej qytetarëve si mjek në shërbimin e sëmundjeve infektive në QSUT, dhe studentëve si pedagog. Dëshiroj të falenderoj dy ministrat shumë të suksesshëm paraardhës të shëndetësisë, Z. Vasili dhe Z. Tavo me të cilët kam punuar e ndarë përgjegjësitë e zbatimit të një reforme bashkëkohore në shëndetësi.
Gjej rastin të falenderoj stafin e mrekullueshëm të Ministrisë së Shëndetësisë dhe dhjetëra e mijëra bluzat e bardha në mbarë vendin për kontributin e tyre të çmuar në shërbim të qytetarëve. Më lejoni që përmes jush të falenderoj qytetarët shqiptar për mirëkuptimin e tyre, por edhe t’ju kërkoj ndjesë për ndonjë problem që nuk kemi mundur t’jua zgjidhim në kohën e duhur.
Gjithashtu falenderoj qeverinë shqiptare dhe në veçanti Kryeministrin Berisha, të cilët e konsideruan sektorin e shëndetësisë prioritet, dhe pa kujdesin e të cilëve shëndetësia shqiptare nuk do kishte arritur standardet e sotme, shume prej të cilave të krahasueshme me vendet e zhvilluara evropiane”-shkruan Pipero.
Top Channel