Edhe pse i ka mohuar më parë plane të tilla, nga muaji që vjen Kina duket se do të dërgojë anije turistike në arkipelagun e ishujve Paracel, në detin jugor të saj.
Agjencia shtetërore e lajmeve, Xinhua, thotë se turistët do të mund të vizitojnë zonën gjatë ditës, ndërsa për të fjetur do të qëndrojnë në bordin e anijeve, sepse në ishullin më të madh nuk ekziston veçse një hotel dhe nuk ka ujë të pijshëm.
Të njohura si Xisha në Kinë, por Paracel gjetkë, ishujt në fjalë pretendohen nga Pekini, nga Vietnami dhe Tajvani. Që prej luftës së shkurtër me Vietnamin e jugut, në 1974-tën, kontrollin e tyre e ka Kina, por kohët e fundit tensionet mbi pretendimet territoriale janë shtuar.
Për analistët, dërgimi i anijeve turistike nuk është gjë tjetër veçse hapi i radhës në betejën e Pekinit për të treguar se zona, që besohet të jetë e pasur me naftë, është kineze. Një anije 47.000 tonëshe, me kapacitetin të akomodojë gati 2.000 pasagjerë, është gati të nisë lundrimin, ndërsa një tjetër është në ndërtim e sipër.
Vitin e kaluar, Pekini ngriti një zyrë të pushtetit lokal në ishullin më të madh të arkipelagut Yongxin, çka zemëroi Vietnamin, që thotë se muajin e kaluar Kina qëlloi mbi një peshkarexhë të tij në zonë, duke bërë të përfshihej nga flakët.
Po vitin që shkoi, tensionet mes Kinës dhe Filipineve u ndezën për shkak të një tjetër zone të shumëdiskutuar, cekëtinës Scarborough. Deti i Kinës jugore, i pasur me rezerva nafte dhe gazi natyror, ka qenë shpeshherë burim konfliktesh detare mes vendeve të rajonit.
Top Channel