
Pavarësisht asaj që e quajti “retorikë paranojake” të Penjanit, shefi i diplomacisë britanike, William Hague, bëri thirrje për qetësi në lidhje me krizën koreano-veriore.
Sigurisht që duhet të shqetësohemi për rrezikun e llogaritjeve të gabuara të regjimit komunist. Por është e rëndësishme të qëndrojmë të bashkuar e të tregohemi të palëkundur, u shpreh Sekretari i Jashtëm i Britanisë, që mendon se Penjani po përpiqet ta justifikojë militarizimin, me shtimin e kërcënimeve nga jashtë.
“Nuk shoh ndonjë nevojë urgjente, për t’iu përgjigjur situatës së krijuar me largimin e diplomatëve tanë. Megjithatë, Britania nuk do të veçohet nga aleatët dhe partnerët e saj botërore. Udhëheqja koreano-veriore po bën zgjedhjen e gabuar, mes izolimit dhe bashkëpunimit me komunitetin ndërkombëtar, dhe shpejt do ta gjejë veten duke drejtuar një vend të përçarë e pa miq. Por, ajo që po ndodh javët e fundit është diçka, të cilën e kemi parë shpeshherë në histori. Ky është një regjim, që kërkon të justifikojë militarizimin intensiv të shoqërisë së tij”, tha William Hague.
Të premten, Korea e Veriut deklaroi se nuk do të ishte në gjendje të garantonte sigurinë e stafit të ambasadave të huaja, në rast lufte. Por, pavarësisht tensioneve, misionet diplomatike në vendin komunist nuk i kanë lëvizur punonjësit e tyre.
Top Channel