Vdes gruaja në stogjet e kromit

06/04/2013 00:00

Stogjet e mineralit të kromit në Bulqizë janë sërish varr për njerëzit e varfër të kësaj krahine që rrëmimin në këto male minerali e kanë burimin e vetëm të jetesës.

Një grua 45-vjece mbeti viktimë ndërsa ishte duke gërrmuar. Një gurë ka rrëshqitur duke e goditur gruan në kokë. Viktima është Lirie Mero, nënë e tre fëmijëve dhe jetonte në kushtet ekstreme të varfërisë pasi bashkëshorti është invalid.

E gjithë familja e saj jetonte në një dhomë të vetme dhe puna e Lirisë në stogjet e kromit ishte burimi i vetëm i jetesës për të dhe familjen e saj. Në këto stogje është shënuar edhe numri më i madh i tragjedive pasi aty punojnë dhjetra njerëz cdo ditë, duke përfshirë edhe fëmijët, të cilet mbledhin copa minerali për t’ua shitur kompanive private që merren me nxjerrjen dhe grumbullimin e kromit.

Janë me dhjetra personat që kanë humbur jetën dhe janë gjymtuar në këto masive dheu e gurësh në kërkim të burimit të jetesës.

Kompanitë që veprojnë në zonë, të reja dhe të vjetra shfrytëzojnë punën e paguar pak të qindra familjeve në varfëri ekstreme në Bulqizë për t’u pasuruar.

Deputeti socialist Qemal Minxhozi në një deklaratë pas vizitës së ngushëllimit në familjen e viktimës thotë se përgjegjës për këtë që po ndodh është vetëm shteti.

“Prej 6 vjetësh në zonën e Bulqizës ky është aksidenti i 32. Një nënë e 3 fëmijëve humbi jetën duke kërkuar për skarpata. Kush e detyroi atë? Varfëria! Varfëria! Varfëria! Kush është fajtori? Shteti! Shteti! Shteti!”, tha zoti Minxhozi.

Miniera e Bulqizës njihet ndryshe si miniera e vdekjes për shkak të numrit të lartë të minatorëve që kanë humbur jetën në të.

Kushtet e punës dhe siguria e minatorëve lënë për të dëshiruar, ndërkohë që kësaj i shtohet edhe keqmenaxhimi nga kompanitë që kontrollojnë nëntokën.

Muajin e kaluar policia kreu një kontroll të imtësishëm të të gjitha mjeteve që transportojnë krom nga Bulqiza në drejtim të portit të Durrësit. Pas një përplasjeje me armë mes grupeve që kërkojnë të mbajnë nën kontroll në mënyrë të jashtëligjshme zonën D të minierës, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, në bashkëpunim me Prokurorinë nisi kontrollin e personave që shfrytezojnë kromin në mënyrë ilegale.

Për të mbështetur këtë operacion në Bulqizë u vendosën për disa ditë forcat speciale, të cilat ushtruan kontrolle sidomos në zonat më problematike të konflikteve mes palëve për zaptimin e galerive të kromit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB