
Partia Socialiste u ndal në qytetin e Elbasanit për të prezantuar para mbështetësve të saj dhe qytetarëve të këtij qyteti, programin “Rilindje”, ku i pranishëm ishte edhe kryesocialisti, Edi Rama.
Nisjen e fjalës së tij Rama ia rezervoi zhvillimeve të fundit politike në vend dhe koalicionit të Partisë Socialiste me Lëvizjen Socialiste për Integrim.
“Sot ne jemi një koalicion më i madh. Bashkimi ynë me LSI-në ka ndryshuar vetëm një gjë, sot vota e fitores sonë është më e mbrojtur nga vjedhja, ndërsa Saliu dhe partia e tij familjare janë më të vetmuar në humbjen e tyre. Por koalicioni ynë do të jetë edhe më i madh deri ditën kur do të regjistrohet, kur të hyjë në fushën e vetejës, ndërsa Saliu dhe partia e tij familjare akoma më i vetmuar”, tha Rama.
Rama garantoi qytetarët se asgjë nuk ka ndryshuar nga vlerat dhe parimet e programit “Rilindje”. Ai tha se angazhimet e PS-së për programin për një Rilindje nuk kanë lëvizur as edhe një presje.
Duke iu kundërpërgjigjur akuzave të zëdhënëses së Partisë Demokratike, për ngjarjet e 21 janarit, Rama premtoi se do të ketë drejtësi.
“Sot e gjora ime Laura doli për të qarë në emër të urdhëruresve të vrasësve të 21 janarit, për 21 janarin. Unë do t’i thosha nga këtu, mos u mërzit Laura, 23 qershori do t’i hapë rrugë drejtësisë për 21 janari, por do të shpëtojë edhe ty edhe Partinë Demokratike nga përgjegjësi më i madh i 21 janarit”, tha Rama.
Referuar vrasjeve dhe aksidenteve tragjike që kanë ndodhur në 24 orët e fundit, ku humbën jetën pesë femra, Rama u ndal tek paaftësia e Policisë së Shtetit për të parandaluar krimin.
Krimi, tha Rama, është rritur dhe vazhdon të rritet me ritme galopante sepse kupola e policisë shet operacionet e saj, deklaroi kryesocialisti duke premtuar më pas se brenda 100 ditëve të qeverisjes socialiste, uniformave blu do t’u rikthehet dinjiteti.
Duke u ndalur tek bujqësia, Rama deklaroi se PS ka propozuar heqjen e TVSH-së për makineritë dhe farërat bujqësore, heqjen e akcizës së naftës për këtë sektor. Rama tha se të gjitha këto propozime janë rrëzuar nga Partia Demokratike, ndërsa këto ditë kjo e fundit i propozon në Kuvend si risi.
Po për taksat, Rama ritheksoi edhe njëherë tjetër uljen e taksave për sipërmarrësit e vegjël dhe për pagat nëpërmjet sistemit të tatimit progresiv ku ata që paguhen më shumë do të paguajnë më shumë.
Në takim merrnin pjesë deputetë, kandidatë dhe drejtues të tjerë lokalë të Partisë Socialiste. Në fjalën e tij, deputeti Eduard Shalsi u ndal tek ekonomia. Ai tha se ekonomia e vendit ndodhet në vështirësi për shkak të privatizimeve të dështuara të qeverisë që nuk sjellin as mirëqënie dhe as kosto më të ulët për qytetarët shqiptarë.
Ndërsa Erjon Veliaj, Koordinator i Partisë Socialiste për Rininë foli për nevojat e kësaj shtrese të popullsisë. Sipas tij, shqiptarët kanë nevojë për arsimim. Ai tha se niveli i analfabetizmit në vend ka shkuar në 15 përqind, ndërsa kritikoi qeverinë se ka qenë e paaftë të krijojë vende të reja pune për rininë.
Top Channel