OKB pezullon ndihmat ushqimore në Gaza

05/04/2013 01:05

OKB ka bërë të ditur se ka pezulluar të gjitha qendrat e shpërndarjes së ushqimit në Rripin e Gazas, pasi disa protestues, të irrituar nga shkurtimet e ndihmave, sulmuan një prej komponimeve të tyre.

Agjencia për Ndihma e Punësim e OKB-së (UNRWA) tha se qendrat do të qëndrojnë të mbyllura, deri sa të merren garanci për masat e sigurisë ndaj pronës dhe stafit të tyre.

Gjithashtu është thënë se UNRWA është përpjekur të zbusë efektet e shkaktuara nga shkurtimet e pagesave cash, për disa nga familjet më të varfëra të Gazas. UNRWA ofron ndihma për afro 800 mijë palestinezë në Gaza.

Ajo drejton dhjetra shkolla e klinika mjekësore dhe shpërndan ushqime për shumicën e 1,7 milionë rezidentëve në këtë territor, por së fundi ka njoftuar se është duke u përballur me një deficit të madh buxhetor.

Korrespondentët thonë se pezullimi i ndihmave ushqimore do të shtojë më shumë vështirësitë për njerëzit në Gaza, të cilët janë gjithashtu të goditur edhe nga kontrollet e Izraelit dhe Egjiptit në kufi.

Përmes një deklarate, UNRWA ka thënë se sulmi ndaj zyrës së saj në Gaza ishte “një përshkallëzim dramatik dhe shqetësues i një serie demonstratash, të cilat janë mbajtur gjatë javës së kaluar”.

“Ne kuptojmë tërësisht impaktin e vendimit, për të pezulluar asistencën tonë me parà cash, te disa prej përfituesve të ndihmës sonë”, tha Robert Turner, kreu i operacioneve të agjencisë në Gaza. “Ajo që ndodhi sot ishte tërësisht e papranueshme. Situata mund të kishte rezultuar në dëmtime serioze ndaj stafit të UNRWA dhe ndaj demonstruesve. Ky përshkallëzim, me sa duket i planifikuar më parë, ishte i pajustifikuar dhe i paprecendentë”.

Më pas shtoi: “Si pasojë, të gjitha qendrat e shpërndarjes dhe ndihmave do të qëndrojnë të mbyllura, deri sa të garantohet se operacionet e UNRWA do të mund të vazhdojë pa shqetësime të tilla”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA