Konflikti korean, Kastro: Të shmanget lufta

05/04/2013 00:00

Ish-presidenti kubanez, Fidel Kastro, i shndërruar tashmë në një simbol “të luftës kundër imperializmit” dhe një ndër “armiqtë më jetëgjatë të Shteteve të Bashkuara”, i bën thirrje Koresë së Veriut të shmangë luftën.

“I kërkoj Koresë së Veriut të shmangë një luftë që nuk do të prodhonte asnjë të mirë, jo vetëm për dy vendet e Gadishullit Korean, por as për 70 përqind të popullsisë së botës”, thuhet në një deklaratë të Fidel Kastros shpërndarë në internet nga agjencia Cubadebate.

Shpërthimi i një lufte, shton Kastro, nuk do t’i sillte asnjë të mirë, asnjë përfitim popullit në të dy krahet e vijës ndarëse, përvecse shkatërrim e vdekje.

Thirrja e Fidel Kastros mbërrin pas ashpërsimit të gjuhës së Penianit ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut. Vendi komunist ka mbyllur plotësisht kufijtë dhe kërcënon me goditje bërthamore edhe vetë Amerikën Kontinentale.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun bëri thirrje për qetësi. Ai kërkoi nga vendet të ulin tonet dhe të shmangin konfliktin e armatosur që do të ishte një katastrofë jo vetëm për dy vendet, por edhe për gjithë rajonin e më gjërë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA