Ministri gjerman i Financave përgëzoi një hetim gazetaresk, i cili zbuloi një seri prej dhjetëra mijëra llogarish të fshehta të milionerëve, kryesisht në Europë dhe SHBA, të hapura me qëllim fshehjen e të ardhurave nga shtetet përkatëse.
Në një reagim, gjatë së premtes në shtypin gjerman, Wolfgang Schauble u shpreh: “Jam i kënaqur për publikimin e këtij raporti, i cili do të rrisë më shumë presionin për adresimin e këtij problemi”.
Sipas Schauble, “lufta ndaj evazionit fiskal duhet të zhvillohet në nivel botëror dhe në mënyrë të parreshtur. Bashkimi Europian, në veçanti, duhet të bëjë më shumë për të luftuar evazionin”.
Fshehja e të ardhurave nga politikanë, drejtues të lartë ekzekutiv të kompanive e ndërmarrjeve të mëdha dhe persona të tjerë të pasur u ekspozua në hetimin e një shoqate mediatike ndërkombëtare.
Një total prej 2,5 milionë dokumentash, që përfshin mbi 120 mijë kompani e fonde ndërkombëtare, iu dërgua shoqatës mediatike, nëpërmjet një emaili anonim.
Dokumentet përmbajnë 30 vjet aktivitet bankar dhe i përkasin personave në 170 vende të globit. Ndërsa më shumë të dhëna për identitetin e përgjegjësve pritet të zbulohen në të ardhmen, publikimi i këtij hetimi investigativ pritet të ngjallë një “tërmet” të vërtetë në rangjet më të larta të shumë shteteve.
Top Channel