Rio-Brazil, aksident rrugor me 7 viktima

03/04/2013 03:30

7 persona kanë humbur jetën në Rio de Janeiro, pasi një autobus ra nga ura, me lartësi 10 metra, në qendër të qytetit, ka bërë të ditur policia braziliane.

Disa pasagjerë të tjerë janë plagosur, teksa një autobus “328” u rrëzua në Avenida të Brazilit, një nga rrugët kryesore të qytetit, në formë mbikalimi.

Zjarrëfikësit kanë njoftuar se 13 pasagjerë ishin në autobus gjatë aksidentit. Zjarrëfikëset, ambulancat dhe 2 helikopterë janë duke punuar për t’i transportuar të plagosurit në spitale.

Nga të vdekurit, policia ka njoftuar se janë 5 burra dhe 2 gra. Aksidenti ndodhi rreth orës 16:30 me orën lokale, pranë Ishullit të Guvernatorit të Rios, në zonën veriore të qytetit.

Pamjet e “Globo TV”, të marra nga një helikopter, treguan ekipet e emergjencave teksa evakuonin të plagosurit nga autobusi i përmbysur, teksa trafiku ishte bllokuar në Avenida të Brazilit.

Shkaku i aksidentit nuk bëhet ende i ditur, gjithsesi “Globo” citoi dëshmitarët të kenë thënë se shoferi kishte patur një grindje me pasagjerët, pak përpara përplasjes. Policia po heton mbi këtë ngjarje.

Top Channel