Qipro pranoi të mërkurën zyrtarisht paketën e masave shtrënguese, që shoqërojnë “huanë e shpëtimit” prej 10 miliardë eurosh, akorduar nga Bashkimi Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombërtar.
Në një deklaratë, FMN pranoi se masat shtrënguese janë “sfiduese” dhe që do të kenë nevojë për “sakrificat e të gjithë popullsisë”.
Midis masave shtrënguese përfshihet dyfishimi i taksave mbi fitimin në 30% dhe një rritje e taksave për koorporatat, nga 10% në 12,5%.
Për planin, i hartuar me synimin e stabilizimit të sistemit bankar dhe financave shtetërore, ishte rënë dakord në parim që një javë më parë.
Nënshkrimi i marrëveshjes erdhi një ditë pasi ministri i Financave, Michael Sarris, paraqiti dorëheqjen e parevokueshme të tij, duke pranuar përgjegjësinë morale që mban në këtë krizë.
Marrëveshja për huanë prej 10 miliardë eurosh parashikon përveç shkurtimeve, edhe humbje të mëdha për bankat dhe depozituesit qipriotë, duke ngjallur pakënaqësi të mëdha popullore.
Në bazë të marrëveshjes, depozitat mbi 100 mijë euro nuk do të shlyhen tërësisht, duke rrezikuar që të paguhet vetëm 60% e vlerës së tyre.
Ndërkohë, Presidenti i Qipros, Nicos Anastasieades, urdhëroi nisjen e një hetimi, për të gjetur fajtorët dhe arsyet që çuan në falimentim financat e ishullit me 1,2 milionë banorë, pjesë e 27 vendeve të Bashkimit Europian.
Top Channel