Presidenti amerikan Barack Obama ka zbuluar iniciativën e re të tij për “të hetuar trurin”.
Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, ai njoftoi një investim fillestar prej 100 milionë dollarë për të hedhur dritë mbi mënyrën se si punon truri dhe për të siguruar informacione në lidhje me sëmundjet “Alzheimer” dhe epilepsisë.
Presidenti Obama tha se iniciativa si ajo e “Projektit të Gjeneve Njerëzore” kanë transformuar Gjenetikën, ndaj dhe tashmë ai kërkon të bëjë të njëjtën gjë me trurin.
Projekti do të zhvillohet nga shkencëtarë të sektorit publik e privat dhe është titulluar “Hulumtimi i trurit përmes avancimit të neuro-teknologjisë inovative, apo thjesht B.R.A.I.N”.
Obama u shpreh: “Ka një mister jashtëzakonisht të madh për t’u zbuluar dhe iniciativa BRAIN do të ndryshojë këtë, duke i dhënë shkencëtarëve pajisjet e duhura, në mënyrë që të sigurojnë panoramën dinamike të trurit në veprim e sipër, si dhe për të kuptuar më mirë se si ne mendojmë, mësojmë apo kujtojmë. Kjo njohuri do të jetë diçka transformuese”.
Projekti do të nisë në 2014-n dhe do të përfshijë Institutin Kombetar të Shëndetit (NIH), Agjencinë e Projekteve të Hulumtimit të Mbrojtjes së Avancuar (DARPA), si dhe Fondacionin Kombëtar të Shkencës (NSF).
Investimi prej 100 milionë dollarë do të përdoret për të zhvilluar teknologji të reja, për të investiguar se si miliarda qeliza individuale bashkëveprojnë në trurin e njeriut.
Shkencëtarët do të fokusohet gjithashtu në mënyrën se si memorizon truri dhe proceson informacionet, si dhe të hetohet se si funksioni i trurit është i lidhur me sjelljen njerëzore.
Top Channel