Kerry: Do mbrohemi dhe do mbrojmë Jugun

03/04/2013 04:00

Shtetet e Bashkuara do të mbrojnë territoret e veta, si dhe ato të “aleatit” koreano-jugor, në prag të kërcënimeve nga Korea e Veriut, ka bërë të ditur Sekretari i Shtetit, John Kerry.

Kerri ka bërë këtë premtim, teksa ka folur në një konferencë për shtyp me homologun e tij koreano-jugor, Yun Byung-se.

Peniani ka marrë një sërë masash sfiduese, pas testit bërthamor të tretë gjatë muajit shkurt. Të mërkurën, Veriu kishte shtyrë hapjen e zonës industriale të bashkëmenaxhuar të Kaesong, ka njoftuar Jugu.

Më herët, Peniani kishte kërcënuar se do të mbyllte kompleksin, si pjesë e mosmarrëveshjeve të tij me Washington-in dhe Seulin.

Korea e Veriut është irrituar së tepërmi nga sanksionet e vendosura prej OKB-së, pas testit bërthamor dhe pas stërvitjeve ushtarake vjetore mes SHBA-ve dhe Koresë së Jugut. Kerri e përshkroi retorikën e fundit të qeverisë së Koresë së Veriut si “të papranueshme”.

Pentagoni tha se dy shkatërrues raketash, “USS Decatur” dhe “USS McCain” janë dërguar në rajonin e turbulluar së fundi. “Ato do të jenë gati për t’iu kundërpërgjigjur ndonjë kërcënimi raketor ndaj aleatëve tanë apo territorit tonë”, tha zëdhënësi i Pentagonit, George Little.

Gjatë së martës, Peniani shpalli planet për të rinisur punën në kompleksin bërthamor Yongbyon, të cilën Kerri e konsideroi si një lëvizje “provokative dhe serioze”.

Më herët, Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, tha se kriza ka “shkuar shumë larg” dhe bëri thirrje për bisedime urgjente me Veriun. “Gjërat duhet të qetësohen, nuk ka nevojë që Korea e Veriut të ndjekë kursin e mosmarrëveshjeve me komunitetin ndërkombëtar. Kërcënimet bërthamore nuk janë një lojë”, tha ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA