Autoritetet italianë kanë sekuestruar një shumë rekord prej 1.3 miliard eurosh të siguruara nga aktivitete të paligjshme të grupeve të mafias.
Mediat italiane shkruajnë se shuma i përkiste Vito Nicastri, i njohur ndryshe si mbreti i energjisë eolike. Ai dyshohet për lidhje mafioze me krerët e Cosa Nostra-s. Nicastri është urdhëruar nga gjykatat italiane që të mos largohet nga banesa e tij në komunën e Alcamos, në afërsi të Palermos.
Ky është sekuestrimi më i madh që është ndërmarrë ndonjëherë ndaj mafias dhe përbën padyshim një ndër goditjet më të mëdha që i bëhen krimit të organizuar dhe aktiviteteve të paligjshme në Itali.
Shuma prej 1.3 miliard eurosh përbën llogari bankare, kapitalet e mbi 40 kompanive të lidhura me prodhimin e energjie alternative, 98 prona përfshirë këtu vila dhe pallate si dhe shumë automjete, motorrë e varka.
Dyshimet ndaj Nicastri-t lindën pas ngritjes së shpejtë të tij, nga një elektricist i thjeshtë në një prej biznesmenëve më të fuqishëm në sektorin e energjisë në Itali. Aktivitetet e tij shtriheshin në të gjithë Italinë, që nga Lombardia në veri, Lacio në qendër e Sicili në jug.
Top Channel