Militantë të armatosur kanë sulmuar një impiant për energjinë elektrike
në qytetin e Peshauarit, në Pakistan, duke vrarë 7 persona dhe duke
plagosur disa të tjerë.
Një polic dhe një punonjës i impiantit u vranë menjëherë ndërsa 10 persona të tjerë u morën peng, ka raportuar policia lokale.
Pak më vonë pesë prej tyre u gjetën të pajetë në një fushë aty afër, por vendndodhja e pesë pengjeve të tjera nuk dihet.
Deri tani asnjë grup nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë e sulmit, por zakonisht janë talebanët ata që kryejnë sulme në këtë rajon.
Sulmi bëri që të ndërpritej përkohësisht energjia në disa pjesë të qytetit, por tani furnizimi është riparuar.
Sulmi i kryer nga militantë të armatosur rëndë ndodhi në orët e para të së martës në periferinë Badh Bher të Peshauarit, një zonë kjo e shënjestruar shpesh herë nga rebelët.
“Ata sulmuan stacionin e energjisë rreth orës 02:30, vranë dy persona dhe morën peng 10 të tjerë”, ka treguar Javed Khan, një oficer i policisë së zonës, për agjencinë e lajmeve “AFP”.
Ndërkohë, korrespondentja e BBC në Islamabad thotë se ekziston frika se militantët do të avancojnë sulmet e tyre në prag të zgjedhjeve që do të mbahen në maj.
Top Channel