OKB voton për traktatin e armëve

02/04/2013 00:00

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do të votojë atë që mund të jetë traktati i parë për të zgjidhur çështjen e tregtisë globale të armëve konvencionale që arrin në 70 miliardë dollarë.

Votimi vjen një javë pasi Irani, Koreja e Veriut dhe Siria bllokuan miratimin e traktatit me konsensus. Mbështetësit e traktatit deklarojnë se nevojitet që armët të mbahen larg duarve të terroristëve dhe krimit të organizuar.

Drafti pritet të miratohet me shumicë votash në asamblenë me 139 vende anëtare. Traktati do t’u ndalojë shteteve të eksportojnë armë tradicionale në shkelje me embargot, ose armë që mund të përdoren për krime si genocidi, krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe terrorizëm.

Gjithashtu, përmes tij do t’u kërkohet shteteve të parandalojnë që armët tradicionale të arrijnë në tregun e zi. Diplomatët kanë punuar për pothuajse një dekadë për të arritur në një grup parimesh për kontrollin e fluksit të armëve të tilla.

Përpjekjet për të rënë dakord mbi traktatin vitin e kaluar dështuan pasi Shtetet e Bashkuara, të ndjekura nga Rusia dhe Kina, deklaruan se u duhej më shumë kohë për të shqyrtuar çështjen.

Ndërsa javën e kaluar, një konferencë e Kombeve të Bashkuara dështoi në arritjen e konsensusit pas kundërshtimeve nga Irani, Koreja e Veriut dhe Siria. Irani deklaroi se traktati ishte i mbushur me defekte dhe boshllëqe, ndërsa Koreja e Veriut se ai ishte i pabalancuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA