Mandela vizitohet nga familja në spital

02/04/2013 03:40

Pjesëtarë të familjes së Nelson Mandela-s e kanë vizituar atë në spital, ku ai është shtruar prej 6 ditësh, për shkak të përsëritjes së periudhave të shkurtra të pneumonisë.

Presidenti i Afrikës së Jugut raportoi rreth vizitës në nëj deklaratë, ku ka thënë se “nuk ka asnjë ndryshim domethënës në lidhje me gjendjen e tij”. Kjo është hera e katërt e Mandela-s, që shtrohet në spital në pak më shumë se 2 vjet.

Ende nuk ka detaje, se sa gjatë do të qëndrojë ai i shtruar. “Mandela kaloi një pjesë të mirë të ditës me familjarët e tij, të cilët kanë vlerësuar jashtë mase mbështetjen që kanë marrë nga publiku”, thuhej në deklaratë.

Aty nuk specifikohej se sa vizitorë ka patur Mandela në spital, apo cilët pjesëtarë kanë qenë konkretisht. Një deklaratë e bërë më parë, gjatë së dielës, thoshte se 94-vjeçari, ish-president i Afrikës së Jugut, “pati një ditë pushimi” dhe shëndeti i tij ishte përmirësuar.

Mandela, i cili udhëhoqi luftën e kombit të tij kundër apartedit, u diagnostikua fillimisht me tuberkuloz në vitet ’80, teksa ishte i burgosur në Ishullin Robben, të rrahur shumë prej erës.

Mushkëritë e tij thuhet se janë shkatërruar, teksa punonte në një gurore në burg. Gjatë fundjavës, kishat anembanë vendit mbajtën mesha lutjeje për Mandela-n. Presidenti Jacob Zuma falënderoi “mijëra afrikano-jugorë, të cilët u lutën për Madiba, gjatë shërbimeve të ndryshme për Pashkë nëpër kisha”.

Madiba është emri i klanit të Mandela-s, i cili përdoret gjerësisht për t’iu referuar atij.

Top Channel