
Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, u shpreh se “kriza koreane ka shkuar tepër larg”, ndërsa bëri një thirrje të gjitha palëve për vetpërmbajtje dhe “qetësim urgjent të gjakrave”.
Reagimi i Ki-moon erdhi pasi Peniani shpalli planet për të rinisur punën në reaktorin e tij kryesor bërthamor, në kompleksin e Jongbionit.
Duke folur në një konferencë për shtyp gjatë një vizite në Andorra, Ban kërkoi bisedime të menjëhershme me Korenë e Veriut.
”Tensioni duhet të qetësohet sa më shpejt. Nuk ka nevojë që Korea e Veriut të vendoset në armiqësi të hapur me komunitetin ndërkombëtar. Kërcënimi me shfarrosje bërthamore nuk është një lojë apo një shaka për t’u thënë”, komentoi Ki-moon, një shtetas koreanojugor.
Gjatë ditës, Rusia dhe Kina publikuan deklarata të tjera, adresuar të gjitha palëve të përfshira, duke kërkuar vetpërmbajtje.
Megjithatë, Korea e Jugut u përgjigj agresivisht, duke thënë se nëse lajmi për riaktivizimin e qendrës së Jongbionit është i vërtetë, “Korea e Veriut do të paguajë një çmim të ashpër”.
Më parë gjatë muajit mars, diktatori i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, kërcënoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Korenë e Jugut me një sulm bërthamor, pasi disa bombardues amerikanë të pazbulueshëm u dërguan në jug.
“Ka ardhur koha që të lajmë llogaritë një herë e mirë me imperialistët amerikanë”, deklaroi të lideri 29-vjeçar i Koresë komuniste, në Agjensinë Koreane të Lajmeve “KCNA”.
Tensioni në Gadishullin Korean ka ardhur në një spirale përshkallëzimi të rrezikshëm që prej muajit dhjetor, kur Peniani lëshoi në hapësirë një satelit, nëpërmjet një rakete me rreze të gjatë veprimi dhe kreu një shpërthim bërthamor, në muajin shkurt, në kuadër të testimit të armëve të reja.
Si rrjedhojë e këtyre veprimeve në kundërshtim me paktet dhe zotimet e firmosura nga Korea e Veriut përpara OKB-së, vendi komunist u bë subjekt i sanksioneve të reja ekonomike, të cilave Peniani iu përgjigj në mënyrë sfiduese, duke anulluar armëpushimin e vitit 1953 me Korenë e Jugut dhe duke rikthyer gjendjen e luftës, së bashku me kërcënimet për shkatërrimin e plotë bërthamor.
Top Channel