Një mision i BE-së për stërvitjen e ushtarëve të Malit pritet të nisë në kuadër të përpjekjeve për të ndihmuar vendin afrikan në luftën kundër rebelëve islamikë.
Batalioni i parë ushtarak nga katër do të stërvitet nën drejtimin e instruktorëve evropianë në bazën Koulikoro, rreth 60 kilometra larg kryeqytetit Bamako.
Ndërhyrja e udhëhequr nga Franca që nisi në janar ka bërë që të rimerren nën kontroll qytetet kryesore të Malit, por megjithatë luftimet me grupet islamike vazhdojnë në veri të vendit.
Nga 550 trupa që u dërguan në Mali nga 22 vende të BE-së, rreth 150 janë instruktorë, ndërsa pjesa tjetër njësi mbështetëse dhe truproja.
Franca është kontribuesi më i madh me 207 trupa, e ndjekur nga Gjermania me 71, Spanja me 54, Britania me 40, Republika Çeke me 34, Belgjika me 25 dhe Polonia me 20.
Stërvitjet do të zhvillohen nën kontrollon e gjeneralit francez Francois Lecointre dhe pritet të zgjasin rreth 15 muaj.
“Ushtria duhet rindërtuar e tëra nga e para. Autoritetet vendase janë të vetëdijshme për këtë dhe se Mali pothuajse u zhduk nga rënia e institucioneve”, ka deklaruar gjenerali Lecointre.
Top Channel