FRD organizoi në Sarandë tryezën për programin politik mbi turizmin. Kreu i kësaj force politike, Bamir Topi u shpreh se të gjitha qeveritë kanë abuzuar në nivel qendror e vendor me turizmin.

“Dikush ka thënë, të sjell Diellin në dorë, duke bërë të tilla me premtime. Ne nuk jemi një forcë politike e tillë. Ne jemi një forcë që e shohim si një mundësi të jashtëzakonshme turizmin, pasi një pjesë e mirë e fondeve ballkanike kanë shuma dhe skema interesatnte për turizmin detar e malor”, deklaroi Topi.

PS: Biznesi u persekutua

Genti  Gazheli, anëtar i grupit të punës për sipërmarrjen në PS, deklaroi se gjatë këtyre 8 viteve i persekutuari më i madh i Sali Berishës dhe pushtetit të tij ka qenë biznesi i vogël, që me taksën e sheshtë taksohet dyfish nga qeveria, duke i rritur në mënyrë arbitrare nivelet e taksimit.

“Për ne biznesi i vogël nuk është thjesht një shifër e pakonsiderueshme, siç shprehet për ata ministri i Saliut. Për ne është puna e 166 mijë shqiptarëve, është jeta e 400 mijë shqiptarëve. Partia Socialiste është e angazhuar që pas 23 qershorit të heqë menjëherë taksën e biznesit të vogël, për t’i dhënë frymëmarrje 400 mijë njerëzve që jetojnë me të ardhurat e këtij biznesi”, deklaroi Gazheli.

LSI: Kuvendi, jo arenë fushate

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili shprehu shqetësimin për shndërrimin e sallës së Parlamentit në arenë debati elektoral mes partive politike. Zoti Vasili bëri apel për kthimin në normalitet dhe disiplinim të rregullores së Kuvendit, ku respekti i rendit të ditës mos të zëvendësohet nga debati i shterpë elektoral.

“Salla e Parlamentit ka nisur t’i ngjajë studios televizive për debat. Ethet, ankthet elektorale, por në disa raste pakontrollueshmëria e etheve elektorale ka bërë që të shpenzohet orë debat elektoral duke lënë mënjanë ligje të rëndësishme, ku dhe cilësia e legjislacionit është bërë jetike”, deklaroi Vasili.

Spahiu: Berisha po blen zgjedhjet

Aleanca Kuqezi organizoi një tubim në qytetin e Durrësit, në kuadër të fushatës për një “7 Prill pa Berishen”. “Paratë nga duar të gjakosura po paketohen në zarve me 100 mijë lekë për të blerë votën. Merrini kuqezinj këto lekë, se janë paratë tuaja. Atyre s’ja u ka lënë askush. Merrini se janë paratë tuaja dhe votoni për Aleancën Kuqezi”, tha kryetari Kreshnik Spahiu.

Spahiu denoncoi atë që e quajti si një ndër skandalet e radhës dhe të pabublikuar deri më tani të qeverisë Berisha, e cila në bashkëpunim me qeverinë greke, sipas tij, po minon sovranitetin teritorial të vendit.

Top Channel