Kanë shpëtuar për mrekulli nga ndërhyrja e ekuipazhit të një anijeje turistike, dy peshkatarët 25-vjeçarë që mbetën në det të hapur, të përfshirë nga moti i keq.
Megjithë operacionet e djeshme të kërkim-shpëtimit nga ajri dhe deti, Gëzim Bashllari dhe Fatmir Ismailaj nuk u arrit të gjenden. Fatmirësisht, mëngjesin e sotëm, anija turistike “Costa Voyager”, që po bën turin e Mesdheut, i ka pikasur dy të rinjtë në ujërat tona.
Ata janë diktuar në ujërat e Adriatikut, në drejtim të Shkumbinit nga kroçera që ishte drejtuar për në portin e Durrësit, ndalesën e saj të radhës.
“U informova nga oficeri se dy persona kërkonin ndihmë duke tundur krahët. U afruam dhe i shpëtuam. Kur oficeri i mori dy burrat, ata ishin pa fuqi, na u desh t’i ngrinin peshë. Por jam i gëzuar që shpëtuan”, deklaroi kapiteni i anijes turistike.
Sipas kapitenit të Portit të Durrësit, Hysni Aruçi, dy të rinjtë janë në gjendje të mirë shëndetësore. Të lodhur, por të shpëtuar, peshkatarët nga Vlora i kanë dhënë fund qëndrimit prej afro 30 orësh të vetëm dhe nën pushtetin e detit të egërsuar, duke prekur tokën.
Anija turistike që shpëtoi peshkatarët shqiptarë, me port regjistrimi Pireun, i përket kompanisë britaniko-amerikane Costa Crociere që zotëron linjën italiane të kroçerave me qendër në Xhenova të Italisë.
Janarin e kaluar kjo kompani u vu në qendër të vëmendjes ndërkombëtare për shkak të incidentit tragjik në brigjet e Italisë të një prej kroçerave të saj, “Costa Concordia”.
Top Channel