Në një kohë kur gjykata vijon ritualin e ankesave për disa avokatë që bëhen shkak për shtyrjen e gjyqeve pasi nuk paraqiten, Dhoma Kombëtare e Avokatisë miraton rregulloren në baze të të cilës do të mbahen mbledhjet e Komitetit të Disiplinës ndaj avokatëve.

Në këtë rregullore, mungesa e të cilës u bë shkak që gjatë javëve të fundit të dështonte mbledhja e parë që ishte paralajmëruar, parashikohet prania e komisionerit si filtri që përcakton nëse trupa prej nëntë anëtarësh në komitetin disiplinor duhet të marrë në shqyrtim kërkesat për proçedim disiplinor ndaj avokatit.

Sipas ligjit të ri të avokatisë, Komiteti i Disipilinës përbëhet nga 9 anëtarë, 6 avokatë, një anëtar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, një nga Ministria e Drejtësisë dhe një anëtar nga bota akademike.

Gjyqtari Dritan Hallunaj, anëtar i KLD-së, është njëri prej anëtarëve të këtij komiteti. “Them që ka ardhur koha që të shikojmë edhe pasojat që vijnë nga vendimmarrja e komitetit. Shpresojmë që avokatia të ndikojë në rritjen e prestigjit të rolit të avokatit”, deklaron Hallunaj.

Për herë të parë në këtë rregullore përfshihet si mekanizëm dhënia e së drejtës komisionerit për thirrjen e dëshmitarëve okularë, i cili me sa duket ka rolin e kryegjyqtarit që vendos se çfarë ndodh me kërkesat për proçedim disiplinor nëse duhet ato të kalojnë për shqyrtim apo jo.

“Në çdo rast që mund të ketë një kërkesë, ajo i paraqitet kryetarit dhe pastaj komisioneri ka të drejtë të bëjë kalimin tek komiteti disiplinor. Atje zhvillohet një miniproçes ku paraqitet vetë personi dhe vendoset”, nënvizon Hallunaj.

Votimi për proçedime deri në heqjen e liçencës përjashton të drejtën e abstenimit nga ndonjëri prej anëtarëve, ndërkohë që gjatë një komunikimi në telefon me sekretarin e përgjithshem të Avokatisë, Virgjil Karaj, u bë e ditur se mbledhja e parë në të cilën priten rezultate do të jetë në muajin prill.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA