Një grup ish-themeluesish, ish-drejtuesish dhe ish-anëtarësh të Partisë Demokratike, nga zona e Laprakës në kryeqytet, i janë bashkuar alternativës socialiste për një rilindje shqiptare.
Gjatë diskutimeve pjesëmarrësit në takim kanë shtruar nevojën e ndryshimit të qeverisjes dhe nisjes së një proçesi rilindjeje në të gjithë sektorët.
“Jam nismëtari i parë i PD-së dhe kryetari i saj i parë, që në shkurt të 1991 në Fierzë. Kam punuar vazhdimisht për 22 vite, por duke më zhgënjyer programi i kësaj partie, unë sot do bëhem pjesë e Partisë Socialiste dhe së bashku me lidershipin e saj, me në krye Edi Ramën, unë do të kontribuoj deri në fitoren më 23 qershor”, ka deklaruar profesor Gjovalin Mirashi.
“Unë si nënë dua rilindjen për të ardhmen, sigurinë dhe shanset e barabarta për fëmijët e mi. Ne nuk mund të jemi më një kontigjent njerëzish që s’reagojnë për hir të idealit, sepse ideali i vetëm është atdheu, të cilit i duhet një rilindje”, është shprehur artistja Vera Laçi.
Nga ana e tij kryetari Edi Rama falenderoi pjesëmarrësit në takim për mbështetjen e alternativës për një Rilindje Shqiptare, duke e vlerësuar vendimin e tyre si emancipues për t’iu bashkuar së majtës.
“Në Shqipëri po fillon të fryjë një erë e re e kapërcimit të këtyre hendeqeve të mëdha që ka hapur politika e konfliktit dhe mllefit, që është ushqyer për fat të keq vijimësisht nga kryetari i PD”, ka deklaruar Rama.
Gjithashtu Rama ka nënvizuar faktin se me fitoren e PS dhe shkuarjen e PD-së në opozitë edhe kjo forcë politike do të rilindë.
Top Channel