Zyrtarë të organizatave joqeveritare në Rusi u shprehën të shqetësuar, ndërsa sulmet e qeverisë së tyre janë rritur dukshëm së fundmi.
Pasi selitë e disa OJQ-ve u bastisën javën e shkuar, të mërkurën, u kontrolluan edhe zyrat e Moskës së “Human Rights Watch” e “Transparency International”.
Përveç dy organizatave të mirënjohuara ndërkombëtare, gjatë ditës u bastisën edhe zyrat e dy OJQ-ve gjermane, në kryeqytet dhe Shën Pjetërburg.
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Guido Westerwelle, në reagim të këtij zhvillimi, thirri konsullin e përgjithshëm rus në Berlin, duke i kërkuar shpjegime dhe për t’i shprehur “shqetësimin e thellë” të autoriteteve gjermane ndaj këtyre zhvillimeve.
Bastisja e ambienteve dhe kontrolli mbi të dhënat personale të punonjësve të OJQ-ve lejohet nga një ligj i miratuar në korrik 2012 në Rusi.
Ligj kontradiktor, i mbështetur nga presidenti Putin, imponon deklarimin e financimeve të organizatave joqeveritare dhe regjistrimin e punonjësve të tyre si “agjentë të huaj”, një term me një konotacion të ngjashëm me atë të spiunazhit.
Gjatë këtij mandati, presidenti Vladimir Putin ka akuzuar organizatat joqeveritare për “ndërhyrje në politikën e brendshme, financuar nga fuqitë ndërkombëtare, për shkak të interesave të tyre në Rusi”.
Ligji që detyron deklarimin e financimeve dhe regjistrimin e punonjësve i jep të drejtë Rusisë që gjithashtu të mbyllë ato organizata, që vlerësohet se “ndërhyjnë në punët e brendshme”.
Top Channel