Sistemi bankar në Qipro do t’i nënshtrohet një reforme të thellë, një përpjekje kjo e Nikosisë për të përballuar se më lehtë krizën financiare që e detyroi të shtrijë dorën për ndihmë drejt BE-së dhe FMN-së duke pranuar kushtet e ashpra në këmbim.
Lëvizja e parë mbërriti nga Banka e Qipros, banka më e madhe në vendin ishullor. Shefi ekzekutiv i kësaj banke, Janis Kypri u pushua nga Guvernatori i kësaj banke, Panicos Demetriades i cili gjithashtu është vënë nën presion për politikat financiare të ndjekura nga institucioni i tij për të përballuar krizën.
Shkarkimi i Kyprit është në vazhdën e ristrukturimit të Bankës së Qipros e cila do të shkrihet me një pjesë të “Laiki Bank”, banka e dytë më e madhe në vend, gjithashtu edhe më e goditura nga kriza.
Arsyet për shkarkimin e drejtorit të Bankës së Qipros nuk janë ende të qarta, ndërkohë që bankat po përgatiten që të rihapin dyert për klientët e tyre ditën e enjte, me shpresën se nuk do të ketë tërheqje masive të depozitave.
Për të parandaluar këtë tërheqje, që do të ishte katastrofike për sistemin bankar vendas, qeveria qipriote po shqyrton mundësinë e vendosjes së përkohëshme të një ligji që do të kufizonte tërheqjen dhe nxjerrjen jashtë vendit të shumave të parave.
Top Channel