11 mijë paqeruajtës do të nevojiten në Mali për të ruajtur sigurinë në vend dhe parandaluar rikthimin e militantëve islamikë, deklaroi të mërkurën, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon.
Në vlerësimin e Ki-moon, paqeruajtësit duhet të mbështeten edhe nga forca të afta për dyluftim, në gjendje që të përmbushin misionin e tyre.
Franca dërgoi trupa në Mali, për të penguar pushtimin e vendit nga militantët në muajin janar.
Falë ndërhyrjes së Parisit, aktualisht është rikthyer kontrolli i qeverisë mbi të gjitha qendrat e mëdha të banuara në vend, por ka shumë pikëpyetje për të ardhmen e vendit, pas tërheqjes së paralajmëruar të francezëve dhe zëvendësimit të tyre me një koalicion trupash afrikane në muajin prill.
Në dhjetë muajt e fundit, të fuqizuar nga armatimet e siguruara gjatë krizës libiane (2011-12), tre grupime të fuqishme islamike arritën të vendosnin veriun e Malit nën administrimin e tyre, por tashmë duket se janë shpërbërë në disa fraksione më të vogla.
Një prej shteteve më të varfëra në botë dhe i kufizuar në veri nga shkretërira e Saharasë, Mali ka një sipërfaqe të përafërt me atë të Francës, Gjermanisë e Italisë marrë së bashku.
Top Channel