Kina dhe Brazili kanën nënshkruar një marrëveshje për shkëmbim monetar, e projektuar për t’u mbrojtur nga krizat financiare globale në të ardhmen.
Pakti, i cili u njoftua fillimisht vitin e kaluar, do të lejojë bankat qendrore të dy vendeve të këmbejnë monedhat lokale, me vlerë deri në 190 miliardë jen (yuan), apo 60 miliardë reais (rreth 30 miliardë dollarë).
Zyrtarë kanë thënë se ky veprim do të sigurojë tregti të qetë dypalëshe, pavarësisht kushteve financiare globale. Përveç se është ekonomia e dytë më e madhe e botës, Kina është gjithashtu edhe partneri tregtar më i madh i Brazilit.
“Nëse do të ketë goditje në tregun global financiar, me vështirësi kredish, ne kemi kredite nga partneri ynë më i madh ndërkombëtar, kështu që nuk do të ketë ndërprerje të tregtisë”, tha Guido Mantega, ministri i Ekonomisë së Brazilit.
Marrëveshja u nënshkrua gjatë samitit të pestë “Brics” (Brazil, Rusi, Indi, Kinë dhe Afrikë e Jugut) të mbajtur në Durban të Afrikës së Jugut.
Tregtia mes Kinës dhe Brazilit është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit, teksa vëllimi ka shkuar nga 6,7 miliardë dollarë (në 2003) në afro 75 miliardë dollarë (në 2012).
Një pjesë e rëndësishme e kësaj rritjeve ka ardhur si pasojë e rritjes së kërkesave të Kinës për burimet apo rezervat e Brazilit, të tilla si mineralet e hekurit dhe produktet e sojës.
Ndërkohë, Brazili është kthyer gjithashtu në një treg eksportues për të mirat e prodhuara në Kinë.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Brazilit, Alexandre Tombini, tha se marrëveshja e shkëmbimit do të sigurojë se vëllimet tregtare mes dy kombeve nuk do të vuajnë nga krizat financiare në të ardhmen, të cilat mund të dëmtojnë likuiditetin.
Top Channel