Opozita në Kosovë pajtohet për krijimin e komisionit hetimor, për faturat e larta të energjisë elektrike në muajin janar.
Kjo po bëhet me iniciativë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, disa ditë pasi parlamenti dështoi të votojë pro krijimit “ad hoc” të komisionit.
LDK-së i është dashur t’i sigurojë 40 nënshkrime, në mënyrë që ky mekanizëm të krijohet.
Përvec deputeteve të LDK-së, pjesë e iniciativës janë bërë edhe deputetë të dy partive opozitare, Vetvëndosje dhe AAK, si dhe deputetë të pavarur.
“Kemi mbledhur nënshkrimet dhe në seancën e radhës do të formohet komisioni parlamentar hetimor për këtë çështje, nga fakti se janë plotësuar të gjitha kushtet për diçka të tillë dhe ne kemi proceduar konform asaj që parashikon kushtetuta, rregullorja për këtë çështje, duke mbledhur nënshkrimet”, deklaroi Ismet Beqiri, shef i grupit parlamentar të LDK-së.
Për dallim nga seanca e kaluar, kur koalicioni qeverisës kundërshtoi krijimin e komisionit hetimor për faturat e energjisë, këtë të hënë shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, tha se përkrah opozitën në këtë çështje.
“Nuk e kemi rrëzuar ne, por parlamenti me numrin e votave. Opozita po e kërkon këtë gjë, ndërsa ne kërkojmë vetëm që të veprohet në përputhje me ligjin, pasi vetëm në këtë mënyrë jemi dakord të japim kontributin tonë për respektimin dhe mbrojtjen e tyre”, u shpreh Adem Grabovci, shef i grupit parlamentar të PDK-së.
Përveç krijimit të këtij komisioni, me kërkesë të Lidhjes Demokratike do të zhvillohet edhe debati parlamentar për zhvillimin, apo siç konsideron LDK-ja, mos zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Top Channel