Afrika Qendrore, rebelët pezullojnë kushtetutën

26/03/2013 03:30

Lideri i rebelëve, të cilët kanë pushtuar kryeqytetin e Republikës së Afrikës Qendrore, ka njoftuar pezullimin e kushtetutës dhe shpërndarjen e parlamentit.

Michel Djotodia tha se do të kalojë një periudhë tranzicioni, deri kur të mbahen zgjedhjet “e besueshme dhe transparente”, gjatë së cilës ai do të nxjerrë ligje me dekret. Ai shtoi se do të mbështesë një marrëveshje paqeje, e cila premton zgjedhje brenda 3 vitesh.

Lideri i rrëzuar i CAR, Francois Bozize, është larguar për në Kamerunin fqinj, kanë bërë të ditur zyrtarë të vendit. Pas pushtimit, Bashkimi Afrikan ka pezulluar CAR dhe ka vendosur sanksione ndaj liderëve të rebelëve.

Rreth 5 mijë luftëtarë Seleka hynë në kryeqytetin Bangui gjatë së dielës, pas rrëzimit të një marrëveshjeje për ndarjen e pushteteve, Akordi Libreville. Marrëveshja u rrëzua, kur Seleka tërhoqi anëtarët e saj nga qeveria.

“Konsideroj se është e nevojshme të pezullohet kushtetuta e 27 nëntorit 2004, të shpërbëhet parlamenti, ashtu si dhe qeveria”, tha Djotodia në një deklaratë për reporterët.

Deklarata nuk mund të transmetohej për shkak të ndërprerjes së energjisë, raportoi Reuters, ndaj dhe ajo u regjistrua dhe iu dha gazetarëve.

“Gjatë kësaj periudhe tranzicioni, i cili do të na udhëheqë drejt lirisë, besueshmërisë dhe zgjedhjeve transparente, unë do të qeveris me dekrete”. Më tej ai shtoi: “Ne do të udhëheqim popullin e Republikës së Afrikës Qendrore gjatë periudhës tranzitore 3-vjeçare, sipas Akordit të Libreville”.

Më herët, presidenti i Afrikës së Jugut, Jacob Zuma, njoftoi se të paktën 13 ushtarë të Afrikës së Jugut u vranë, në betejë kundër rebelëve gjatë së dielës. Trupat ishin stacionuar në Bangui, në mbështetje të forcave qeveritare.

Kështu shënohen humbjet më të mëdha të jetëve për Afrikën e Jugut, në një betejë të vetme, që kur vendi kaloi në demokraci gjatë vitit 1994.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA