Presionet politike mbi “Top-Channel” dhe urdhëri i gjykatës për të mbyllur studiot e ndodhura në ekspozitën “Shqipëria Sot” u dënuan ashpër ditën e premte nga kryetarja e Komisionit parlamentar të Medias, Valentina Leskaj.
”Me sulmin ndaj “Top-Channel”, Berisha po mbyll karrierën e tij politike, duke mbytur zërin e medias së lirë”, deklaroi nga Selia Rozë, deputetja Leskaj.
”Pasi dështoi të mbyllë këtë televizion me sulmet e tij mafioze, kryeministri po përdor gjykatat e tij të korruptuara, për të urdhëruar, në mënyrë abuzive dhe në kundërshtim me kontratat e nënshkruara nga shteti, mbylljen e studiove”.
Sipas saj, “sulmi ndaj mediave është një prej arsyeve kryesore përse nuk do të votohet Sali Berisha në 23 qershor”.
”Për fat të keq, ”Top-Channel” nuk është i vetmi televizion i përballur me sulme të këtilla mafioze, pasi të gjithë mediat e lira e kanë ndierë presionin qeveritar, kërcënimet direkte apo ekonomike. Nga ana tjetër, ato media që mbështesin qeverinë, shpërblehen me reklama dhe financime të tjera”.
Në deklaratën e saj, Leskaj foli me shqetësim edhe për “reagimet e ashpra të Brukselit dhe shoqatave europiane të mediave, të cilat kanë dënuar ashpër këtë që po ndodh në Shqipëri, ndonëse protesta e tyre, për fat të keq nuk është dëgjuar nga qeveria e Berishës”.
Top Channel