Anëtari i Asamblesë së Partisë Socialiste për Infrastrukturën, Artan Lame ka denoncuar fillimin e punimeve për ndërtime  të larta në kryeqytet në këtë  periudhe para zgjedhjesh, të favorizuara nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha dhe kreu i qeverisë, Sali Berisha nëpërmjet planit të ri rregullues.

“Kanë filluar të shfaqen kërpudhat e para prej betoni të parashikuara nga ky plan. Ka filluar nga ndërtimi i një pallati 16-katësh pas Ambasadës Zvicerane në zonën e ish-bllokut me anë të një VKM-je të Sali Berishës është rivendosur në afat një leje e vitit 1998, përpara 15 vitesh dhe e skaduar prej më shumë se një dekade. Për më tepër, kjo leje ndërtimi është anuluar si e paligjshme nga Bashkia Tiranë që në vitin 2002 dhe nga Këshilli i Rregullimit të Territorit i Republikës që në vitin 2003”, tha Lame.

Lame ka denoncuar shkatërrimin e godinës së radios së parë të shtetit shqiptar  për të lejuar aty një ndërtim të lartë.

“Në rrugën e Kavajës u nxorrën në mes të rrugës Instituti i Kulturës Popullore, në atë godinë që ka qenë godina e ish-radio Tiranës së vjetër. Vila është e boshatisur dhe po planifikohet të prishet për të ndërtuar një pallat të madh. Theksoj se kjo vilë, përvecse monument kulture, është edhe pjesë e kujtesës historike të Tiranës dhe Shqipërisë pasi është selia e parë e radios së parë të shtetit shqiptar në vitin 1938. Në asnjë prej zonave të mësipërme nuk parashikoheshin ndërtime nga plani francez, plan që është sulmuar aq shumë nga zotërinjtë Basha dhe Berisha. I bëj thirrje qytetarëve të Tiranës të mobilizohen për ta frenuar këtë që po projektohet të ndodhë me qytetin toën që parashikon ta shndërrojë qytetin në një fjetore të madhe betoni”, shtoi zoti Lame.

Artan Lame i bën thirrje qytetarëve të mos lejojnë betonizimin më tej të qytetit pasi të gjitha këto ndërtime nuk ishin parashikuara  as në planin francez.

Reagon Bashkia e Tiranës: Plani i ri urbanistik një sukses. Rama dështoi për 11 vjet

“Zoti Rama kishte mundësi për ta bërë Tiranën një qytet modern europian, por e shkatërroi këtë mundësi për pazare me miqtë e tij duke lënë 250 km rrugë të prishura dhe taksa të dyfishuara për qytetarët dhe bizneset. Do të vazhdojmë të sigurojmë qytetarët se interesat e tyre janë parësore për ne dhe do të bëjmë Tiranën një qytet modern, me më shumë mundësi punësimi, më shumë lehtësira për biznesin dhe një të ardhme të sigurtë”, reagoi zëdhënsja e Bashkisë së Tiranës, Anila Bisha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA